Albin Kurti me hoxhë Hysamedinin: leximi jo nervoz i një takimi
Konteksti etik i një “dorështrëngimi” në sfond politik
Fushata elektorale në Kosovë për zgjedhjet e pritshme parlamentare shënoi rastin e qasjes së Albin Kurtit në domenin fetar, posaçërisht atë islam, aty ku ndodhet një hambar jo i vogël e madje përcaktues votash për atë që mund të jetë fitues i zgjedhjeve. Vota muslimane është gati përcaktuese në Kosovë dhe llogaritet që ngjitja në pushtet e Kurtit ka qenë pikërisht prej saj. Që do të thotë se dhe rënia mund të jetë prej saj, nëse ndodh ditën e votimit. Kjo pasi për bashkësinë muslimane, sado arritje të ketë patur Kurti, sidomos në planin e instalimit të pushtetit të Prishtinës me forcën e ligjit aty ku serbët “bënin ligjin”, si dhe moskorruptimi, fakti që ai është rreshtuar hapur krah axhendës LGBT si një axhendë antifamilje e antimoral, e që madje synon të ndërhyjë në Kodin Civil në funksion të tyre, e bën atë të papërtypshëm e të padenjë për të vijuar qeverisjen. Pse jo, dhe të rrezikshëm në këtë plan.
Kështu fjala vjen mendon Eman Rrahmani, njeriu në krye të Koalicionit për Familje, risia e këtyre zgjedhjeve, një ish-deputet i Vetëvendosjes, i cili me qëndrimet e tij konsistente pamundësoi ndryshimet në Kodin Civil dhe nuk e pa të udhës të ishte më pjesë e një forcë e cila në thelb është e majtë, madje dhe me ngjyrim ateist, e cila është në shërbim të axhendave antifamilje. Dhe kujtojmë se kohë më parë, një ndër ideologët e VV-së, Hysamedin Ferraj do sulmonte ashpër Rrahmanin për ikjen dhe qëndrimet e tij në emër të kauzës së familjes, duke e keqgjykuar në qasjen e tij fetare të kauzës që mbron.
Dhe në sfond të këtij zhvillimi, kësaj krisjeje të faktorit musliman me Albin Kurtin, i cili për hir të së vërtetës është treguar gjithsesi më i afërt e më respektues me bashkësinë muslimane të Kosovës, Kurti i mundëson vetes një takim me një prej imamëve të njohur të Prishtinës, Hysamedin Abazi, emri i të cilit lidhet me xhaminë e “Katër Llulave” në kryeqytetin kosovar.
Hysamedin Abazi njihet për kurajon nga mimberi për të kritikuar hapur e nganjëherë ashpër politikën kosovare dhe kurrë për lojëra politike me statusin e prijësit fetar. Është një figurë e pakotenstuar për diç dhe aspak me prirje për lojalitete politike. Sigurisht, takimi i tij me Albin Kurtin, qartazi nga një dëshirë e këtij të dytit, është e sferës etike më shumë se politike, në kuptimin e rëndomtë të fjalës. Në të tilla raste nuk gykohet takimi por qëndrimi. Dhe, nëse qëndrimet e imam Hysamedin Abazit ndaj të parit të qeverisë kanë qenë parimore, pa përulje, konsistente dhe me thelb kritik për çfarë nuk shkon ose nuk ka pajtim me qeverisjen, dhe nuk ka pse të dyshohet në këtë, ahere nuk ka vend për t’u parë vëngër nga ajo pjesë që ka vendosur të mos e votojë më Albin Kurtin. Sepse nuk është aspak çudi që dhe vetë Abazi mund të mos e votojë, nëse nga takimi a biseda me të ka parë e dalluar njeriun antifamilje, sado patriot të duket apo shfaqet. /tesheshi