ALARM NGA MPB-ja: Grupi i rrezikshëm “764” po shënjestron fëmijët, i manipulon dhe i shtyn drejt vetëlëndimit!
Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel prindërve, kujdestarëve, mësimdhënësve dhe opinionit të gjerë për kujdes të madh lidhur me dukurinë e njohur si „764” – një komunitet i dhunshëm onlajn, anëtarët e të cilit shënjestrojnë fëmijët, të miturit dhe personat e tjerë të rrezikuar, me qëllim manipulimin, frikësimin dhe detyrimin e tyre për të kryer veprime të rrezikshme dhe të dhunshme.
Për seriozitetin e kësaj dukurie paralajmërojnë edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, ndër të cilat edhe Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI), e cila grupin „764” e ndërlidh me komunitete më të gjera të ekstremizmit të dhunshëm nihilist dhe grupe të ngjashme.
Ky apel ka karakter parandalues – synon informimin me kohë të opinionit publik për mënyrat e veprimit të këtyre grupeve, rreziqet me të cilat përballen fëmijët dhe mundësitë për mbrojtjen e tyre.
Si funksionon grupi „764”?
Grupi „764” vepron përmes rrjeteve të ndryshme sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave onlajn. Për të vendosur kontakt me viktimat e mundshme, anëtarët e tij përdorin platforma si Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X (ish-Twitter), Minecraft dhe Fortnite.
Kontakti me fëmijët dhe të rinjtë zakonisht vendoset duke u paraqitur si bashkëmoshatarë të tyre ose si persona të interesuar për një miqësi apo marrëdhënie emocionale.
Pasi fitojnë besimin e tyre, fillojnë manipulimet, kërcënimet dhe shantazhet, me qëllim që t’i detyrojnë të ndajnë fotografi dhe video intime, të vetëlëndohen, të ushtrojnë dhunë ndaj personave të tjerë ose kafshëve, madje edhe të ndërmarrin veprime që mund të kenë pasoja kërcënuese për jetën.
Materialet që arrijnë t’i sigurojnë më pas i përdorin si mjet për frikësim, shantazh dhe kontroll të mëtejshëm ndaj viktimave.
Cilat janë shenjat që duhet t’i vërejnë prindërit?
MPB u bën apel prindërve dhe kujdestarëve që t’u kushtojnë vëmendje të veçantë ndryshimeve të mundshme në sjelljen e fëmijëve, siç janë:
*Ndryshime të papritura në sjellje, izolim, frikë, shqetësim ose nervozizëm;
*Fshehtësi e shtuar gjatë përdorimit të telefonit celular ose kompjuterit;
*Komunikim intensiv me persona të panjohur përmes rrjeteve sociale dhe platformave të lojërave online;
*Pranimi i mesazheve kërcënuese, shantazheve ose kërkesave për dërgimin e fotografive dhe videove;
*Lëndime të pashpjegueshme, prerje, gërvishtje ose shenja të tjera të mundshme të vetëlëndimit;
*Shprehje të dëshpërimit ose biseda për vdekjen dhe vetëvrasjen.
Këto ndryshime nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se fëmija është viktimë e një grupi të tillë, por nëse vërehen, është e rëndësishme të mos injorohen. Nevojitet një qasje e kujdesshme, bisedë e hapur me fëmijën dhe, nëse ekziston dyshim për abuzim, reagim në kohë.
Si t’i mbrojmë fëmijët?
Prindërit duhet të bisedojnë rregullisht me fëmijët për aktivitetet e tyre në internet, të tregojnë interes për personat me të cilët komunikojnë dhe për përmbajtjet që ndjekin, si dhe t’i edukojnë për rreziqet e ndarjes së të dhënave personale, fjalëkalimeve, fotografive dhe videove intime me persona të panjohur.
Është veçanërisht e rëndësishme që fëmijët ta dinë se, nëse dikush i shantazhon, i frikëson ose i manipulon, duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë nga prindërit, kujdestarët, mësimdhënësit ose institucionet kompetente.
Ata nuk duhet të ndihen fajtorë dhe as të kenë frikë të denoncojnë rastin, pavarësisht rrethanave.
Denonconi çdo dyshim apo rast!
Nëse keni njohuri, informacione ose dyshime për aktivitete që lidhen me grupin „764” ose grupe të tjera të ngjashme të dhunshme onlajn, denonconi ato pranë Sektorit për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në adresën elektronike: [email protected]
“Nëse keni në dispozicion informacione që mund të ndihmojnë në trajtimin e rastit, ruani mesazhet, emrat e përdoruesve, lidhjet (linket) dhe të dhënat e tjera relevante. Mos u përballni drejtpërdrejt me personat që bëjnë kërcënime dhe mos ndërmerrni veprime që mund të rrezikojnë edhe më tej sigurinë e fëmijës. Mos shkarkoni dhe mos përcillni materiale eksplicite që përmbajnë pamje të të miturve.
Mbrojtja e fëmijëve nga keqpërdorimi onlajn është përgjegjësi e përbashkët. Identifikimi me kohë i rrezikut, biseda e hapur me fëmijët dhe denoncimi i aktiviteteve të dyshimta mund të parandalojnë pasoja të rënda dhe të shpëtojnë jetë”, thonë nga MPB.

