Ahmeti priti në takim ambasadoren kroate, Tiganj

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, priti sot Ambasadoren e Republikës së Kroacisë, znj. Nives Tiganj, në një takim miqësor dhe konstruktiv. Gjatë bisedës, u theksua rëndësia e Marrëveshjes së Ohrit, si një bazë e fortë për stabilitetin dhe bashkëjetesën ndër etnike në Maqedoninë e Veriut. Ahmeti gjithashtu theksoi rëndësinë e plotë të zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, një nga arritjet kyçe të kësaj marrëveshjeje, dhe nevojën për një implementim të barabartë të tij në të gjitha institucionet shtetërore.
Në këtë takim, u diskutua gjithashtu për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke i kushtuar vëmendje të veçantë projekteve të përbashkëta të financuara nga programi Twinning, të cilat janë një lidhje e rëndësishme për afrimin me standardet evropiane. Kryetari Ahmeti vuri në dukje realizimin e 18 projekteve aktive me Kroacinë, të cilat kontribuojnë në forcimin e institucioneve dhe përgatitjen e vendit për integrimin evropian.
Ai shprehu falënderime për mbështetje të vazhdueshme të Kroacisë në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për partneritetin e ngushtë mes dy vendeve.