Ademi: Marrëveshja e Ohrit në dorë të një serbi me bindje putiniste! Ndryshimi sapo filloi!

Ademi: Marrëveshja e Ohrit në dorë të një serbi me bindje putiniste! Ndryshimi sapo filloi!

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ndaj një emri që mandatari Hristijan Mickoski e përmendi gjatë shpalosjes së propozimeve për ministra në Qeverinë e ardhshme VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZANM.

“Marrëveshja e Ohrit për herë të parë pas vitit 2001 në dorë të një serbi me bindje putiniste! Ndryshimi sapo filloi!”, ka shkruar Ademi në Facebook.

Emri që do të propozohet për të qenë ministër që do të drejtojë Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive është Ivan Stoillkoviq. Këtë Ministri deri më tani e ka udhëhequr Artan Grubi.

Ivan Stoillkoviq është kryetar i Partisë Demokratike të Serbëve, pjesë e koalicionit me VMRO-DPMNE-në, ndërsa mandatari Mickoski gjatë prezantimit tha se do të jetë edhe një prej zëvendëskryeministrave në Qeveri.

Së fundi emri i tij u përfol shumë për shkak të qëndrimit që kishte për Rezolutën e OKB-së për gjenocidin e Serbrenicës. Pas vendimit të MPJ-së së RMV-së për ta mbështetur Rezolutën, Stoillkoviq e quajti rezolutën “diznejlend nekrofil”. Kjo pati nxitur edhe reagime nga komuniteti boshnjak në Maqedoni.

Krahas kësaj, po të kërkosh online për emrin e Ivan Stoillkoviqit, dalin përmbajtje të mjaftueshme që tregojnë për qëndrimet e kryetarit të kësaj partie serbe në Maqedoninë e Veriut.

Jo më larg se në maj të 2023-shit ai mori pjesë në Forumin e Sigurisë që u mbajt në Moskë, ku ishin edhe presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik dhe drejtori i Agjencisë Serbe për Siguri dhe Informacion, Aleksandar Vulin.

Po bashkëpunime me rusë Stoillkoviq ka pasur edhe më herët. Në 2018-tën ai ishte pjesë e një delegacioni të partive parlamentare të Maqedonisë që u takuan me zëvendëssekretarin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë Rusia e Bashkuar, Sergej Zheljeznak. Pas takimit mediat raportonin se “zhvillimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor, si dhe rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve shpirtërore ndërmjet Rusisë dhe Maqedonisë ishin temat e bisedimeve”.r

MARKETING