A ishin pjesë e protestave për jurisprudencën? Përgjigjen Paçuku dhe Demiri
Çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte një nga temat e debatit në emisionin “Debat në Shenja”, ku përfaqësuesit e BDI-së dhe LSDM-së shprehën qëndrime të ngjashme në mbështetje të kërkesave të studentëve.
Ylli Paçuku nga BDI, tha se ka propozime që nuk po pranohen nga studentët dhe vlerësoi se reagimet e tyre janë të arsyeshme. Ai shprehu dyshime se pushteti aktual dhe partnerët e koalicionit do të sjellin ndryshime në këtë çështje.
I pyetur nga gazetari Abedin Ismaili për faktin se studion juridikun dhe se provimi mund të zhvillohet në gjuhën maqedonase, Paçuku tha se shpreson që deri në momentin kur do ta japë provimin, ai të jetë i disponueshëm edhe në gjuhën shqipe.
“Është kërkesë legjitime që buron nga Ligji për përdorimin e gjuhëve. Provimi i jurisprudencës duhet të jepet në shqip. Edhe nëse nuk do të kishte bazë juridike, do të ishte e drejtë”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i LSDM-së, Agron Demiri, tha se ka marrë pjesë në protestat studentore dhe mbështeti kërkesën që provimi të jepet në gjuhën shqipe.
Demiri kujtoi se Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte miratuar gjatë qeverisjes së LSDM-së, duke theksuar rolin e ish-kryeministrit Zoran Zaev në këtë proces. Sipas tij, ligji u miratua me mbështetjen e partive politike dhe më pas shërbeu si bazë për harmonizimin e dispozitave të tjera ligjore.
I pyetur nëse ofrimi i mundësisë që vetëm pjesa teorike e provimit të zhvillohet në gjuhën shqipe përbën kompromis, Demiri u përgjigj se kjo nuk duhet të trajtohet si kompromis, por si e drejtë e studentëve.
“Duhet t’u jepet e drejta që provimin ta japin në gjuhën shqipe”, tha ai.

