Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin 38-vjeçar nga Shkupi për vrasjen në Smilkovc

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin 38-vjeçar nga Shkupi për vrasjen në Smilkovc

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nisur procedurë hetimore ndaj një 38-vjeçari, i dyshuar për vrasjen e Edin Shkrijeljt, ngjarje kjo që ndodhi mëngjesin e 21 nëntorit, në afërsi të Liqenit të Smilkovës.

I dyshuari ngarkohet për veprën penale “Vrasje”, sipas nenit 123, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes të dy personave, e cila paraprakisht ishte zhvilluar përmes një aplikacioni telefonik.

Pas konfliktit, 38-vjeçari kishte shkuar me automjetin e tij në vendin e caktuar, në rrugën anësore të Shkupit, në kryqëzimin pranë Liqenit të Smilkovës. Aty kishte parkuar përballë automjetit të drejtuar nga Shkrijelj, pas së cilës të dy kishin dalë nga veturat dhe kishin vazhduar përplasjen verbale.

Në një moment, i dyshuari kishte nxjerrë armën dhe kishte qëlluar ndaj Shkrijeljt, duke e goditur në këmbën e majtë, në arterien femorale. Si pasojë e humbjes së madhe të gjakut, viktima kishte ndërruar jetë në vendngjarje.

Pas të shtënave, i dyshuari ishte larguar me automjet në drejtim të fshatit Hasanbeg, ndërsa gjatë rrugës kishte hequr qafe edhe armën, bëjnë të ditur nga Prokuroria.

Për shkak të dyshimeve për kryerjen e kësaj vepre penale, prokurori publik i ka dorëzuar propozim gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 38-vjeçarit.

MARKETING