Aleanca për Shqiptarët – Arsimi në gjuhën shqipe është një e drejtë që nuk negociohet

Aleanca për Shqiptarët – Arsimi në gjuhën shqipe është një e drejtë që nuk negociohet

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski në foltoren e Kuvendit, ku ai pretendoi se Kushtetuta nuk e parasheh arsimin e lartë në gjuhën shqipe.

Nga kjo parti vlerësojnë se një deklaratë e tillë përbën një përpjekje të papranueshme për të vënë në pikëpyetje një nga arritjet më të rëndësishme të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

ASH thekson se deputeti i saj, Halil Snopçe, gjatë seancës i kërkoi kryeministrit të tregojë se cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe, por sipas tyre, Mickoski nuk dha përgjigje.

Kjo, sipas ASH-së, mbetet një pyetje që kërkon përgjigje: Cili nen i Kushtetutës e ndalon arsimin e lartë në gjuhën shqipe?

Në reagimin e saj, Aleanca për Shqiptarët thekson se fakti që Kushtetuta përcakton shprehimisht të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare në arsimin fillor dhe të mesëm, nuk nënkupton se kjo e drejtë ndalohet në arsimin e lartë. Për më tepër, partia i referohet pikës 6.2 të Marrëveshjes së Ohrit, e cila parasheh financimin shtetëror të arsimit universitar në gjuhët që fliten nga të paktën 20 për qind e popullsisë.

Sipas ASH-së, universitetet në gjuhën shqipe nuk janë rezultat i bujarisë së ndonjë qeverie, por i një rruge të gjatë përpjekjesh, sakrificash dhe gjaku të derdhur. Ato, siç thekson kjo parti, për më shumë se dy dekada kanë nxjerrë mijëra kuadro që kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

ASH gjithashtu vë në dukje atë që e cilëson si ndryshim të qëndrimit të kryeministrit, duke rikujtuar se vetëm pak javë më parë Mickoski kishte deklaruar se e drejta e arsimit të lartë në gjuhën amtare është e padiskutueshme, ndërsa tani vë në pikëpyetje bazën kushtetuese të kësaj të drejte.

Në të njëjtën kohë, partia ngre shqetësimin për pamundësinë e studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin tërësisht në gjuhën shqipe, ndonëse studimet i kanë përfunduar në këtë gjuhë.

“Çfarë ka ndryshuar ndërkohë? Kushtetuta, ligjet apo qëndrimi politik i kryeministrit?”, pyet Aleanca për Shqiptarët.

Në fund, ASH kërkon nga kryeministri sqarim publik për deklaratat e tij, zbatimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës dhe provimeve të tjera profesionale në gjuhën shqipe.

Sipas kësaj partie, mbrojtja e arsimit në gjuhën shqipe duhet të qëndrojë mbi interesat partiake dhe kalkulimet për pushtet, pasi kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve politikë shqiptarë.

MARKETING