UEFA nis hetime për dhunën në ndeshjet Besiktas-Hapoel dhe Marseille-Levski

UEFA nis hetime për dhunën në ndeshjet Besiktas-Hapoel dhe Marseille-Levski

UEFA dënoi sot dhunën gjatë ndeshjeve të Ligës së Evropës që përfshinin Besiktas dhe Hapoel Beer-Sheva në Gjeorgji dhe Marseille dhe Levski Sofia në Francë, duke njoftuar hetime disiplinore për të dy incidentet, transmeton Anadolu.

“UEFA dënon fuqishëm incidentet e rënda të dhunës dhe trazirave, përfshirë përleshjet që përfshijnë tifozë brenda stadiumit”, tha organi i futbollit evropian në një deklaratë.

Incidentet në Batumi të Gjeorgjisë shpërthyen pasi mbështetësit e Besiktasit shfaqën flamuj palestinezë dhe një pankartë ku shkruhej “Revoltë kundër okupimit, liri për Palestinën” gjatë ndeshjes të së enjtes kundër skuadrës izraelite Hapoel Beer-Sheva.

Policia gjeorgjiane ndërhyri në tribuna, duke çuar në përplasje me tifozët turq dhe duke detyruar arbitrin të ndërpresë ndeshjen për rreth 30 minuta. Policia përdori sprej piper kundër tifozëve ndërsa pamjet tregonin një mbështetës duke u marrë me barelë.

Autoritetet gjeorgjiane thanë se policët kishin ndërhyrë për të ndarë një përleshje mes tifozëve të Besiktasit, duke mohuar se ndërhyrja kishte lidhje me flamurin palestinez. Besiktasi dënoi atë që e përshkroi si përdorim joproporcional të forcës kundër mbështetësve të tij ndërsa Federata Turke e Futbollit bëri thirrje për hetim mbi incidentet.

Ndeshja, e cila ishte zhvendosur nga Stambolli në Batumi për shqetësime sigurie, rifilloi përfundimisht, me Besiktasin që siguroi një fitore 2-1.

Ndërkohë, përleshjet midis mbështetësve të Marseilles dhe Levski Sofias në stadiumin “Velodrome” lanë 11 tifozë bullgarë të plagosur, përfshirë pesë të cilët u shtruan në spital. UEFA caktoi inspektorët e etikës dhe disiplinës për të shqyrtuar provat e disponueshme dhe për të përcaktuar rrethanat që lidhen me të dy incidentet.

UEFA tha se informacione të mëtejshme do të jepen në kohën e duhur.

MARKETING