(VIDEO) Policia sulmon tifozët e Beshiktashit për flamurin palestinez, reagojnë Erdogan dhe Fidan
Ndeshja ndërmjet Beshiktashit dhe Hapoel Beer Shevës në Ligën e Evropës është shoqëruar me tensione të mëdha në tribuna, ku policia gjeorgjiane është përplasur me tifozët turq, pasi ata shpalosën flamurin palestinez dhe pankarta në mbështetje të Palestinës. Ndërhyrja e forcave të sigurisë shkaktoi kaos në tribuna, ndërsa pamjet e përleshjeve tërhoqën vëmendjen përtej rezultatit të ndeshjes, të cilën Beshiktashi e fitoi me shifrat 2:1 ndaj skuadrës izraelite. Ngjarja nxiti reagime të shumta në Turqi, ku disa klube të Superligës dënuan ndërhyrjen e policisë dhe shprehën mbështetjen për Beshiktashin. Njëkohësisht, ato kritikuan UEFA-n për vendimin që ekipet turke të mos i zhvillojnë në vendin e tyre ndeshjet si vendas kundër klubeve izraelite. Trabzonspori ishte ndër klubet e para që doli në mbështetje të Beshiktashit, duke dënuar atë që e cilësoi si ndërhyrje joproporcionale ndaj tifozëve dhe duke kritikuar standardet e dyfishta të UEFA-s. Në të njëjtën linjë reaguan edhe dy gjigantët e tjerë të futbollit turk, Fenerbahçe dhe Gallatasaraji, si dhe klubet Erzurumspor, Bashakshehir e Samsunspor. Ndërkohë, çështja ka marrë edhe dimension diplomatik. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Beshiktashit, Serdar Adali, ndërsa ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka komunikuar me homologen e tij gjeorgjiane, Maka Botçorishvili. Pas gjithë këtyre reagimeve, pritet edhe qëndrimi zyrtar i UEFA-s lidhur me incidentin.
Aziz Sahiti /SHENJA/

