Tifozët e Besiktasit rrëfejnë dhunën policore: “Menduam se jemi në Izrael, jo në Gjeorgji”

Tifozët e Besiktasit rrëfejnë dhunën policore: “Menduam se jemi në Izrael, jo në Gjeorgji”

Tifozët e Besiktasit nga grupi i tifozëve “Çarshi Bingol”, të cilët shpalosën një pankartë në mbështetje të Palestinës gjatë ndeshjes së ekipit të tyre në Ligën e Evropës të UEFA-s kundër skuadrës izraelite, Hapoel Beer-Sheva në Gjeorgji, janë kthyer në Turqi, duke rrëfyer dhunën policore dhe duke thënë se “mendonin se ishin në Izrael, jo në Gjeorgji”, raporton Anadolu.

Ercan Gursacti, anëtar i grupit u tha gazetarëve se policia gjeorgjiane u kishte ushtruar presion të madh si dhe dhunë fizike e psikologjike, pasi grupi i tifozëve shpalosi pankartën me mbishkrimin “Rezistencë kundër pushtimit, liri për Palestinën”.

“Na ngacmonin vazhdimisht që nga pika kufitare deri në përfundim të ndeshjes. Ushtruan dhunë ndaj tifozëve, gjë që policia nuk duhet ta bëjë. Megjithatë, arritëm ta shpalosnim pankartën tonë: ‘Revoltë kundër pushtimit, liri për Palestinën’. Qëllimi ynë ishte të bënim të dëgjohej shtypja në Palestinë. Nëse ia dolëm, jemi të lumtur”, tha ai.

Koordinatori i grupit, Ilyas Kircicek tha se zëri u ishte ngjirur për shkak të sprejit të piperit dhe dhunës së ushtruar ndaj tyre. Ai tha se kishin brohoritur më fort se zakonisht, pasi skuadra kundërshtare ishte izraelite, duke shtuar se do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që munden për të rritur ndërgjegjësimin për Gazën dhe Palestinën.

“Ne mund të japim gjithçka për Gazën dhe Palestinën. Edhe nëse nuk mund të shkojmë në luftë, këtu bëmë gjithçka që mundëm për ta bërë zërin tonë të dëgjohej dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Kircicek.

Ai tha se shumë tifozë kishin kontribuar në përgatitjen e pankartës dhe se në fund ia dolën ta fusnin atë në stadium dhe ta shpalosnin. Kircicek pretendoi se trajtimi i tifozëve nga policia kishte qenë i ndryshëm që nga hyrja e tyre në Gjeorgji, duke thënë se policët reagonin ndryshe kur shihnin flamuj turq, palestinezë ose simbole të Besiktasit. Ai shtoi se disa tifozë ishin plagosur, ndërsa të tjerë ishin ndaluar.

– “Miqtë tanë morën goditje të rënda dhe disa humbën vetëdijen”

Abdulmutalip Kalkan tha se policia gjeorgjiane kishte vepruar si policia izraelite, duke përshkruar atë që ai e cilësoi si ndërhyrje të tepruar ndaj tifozëve. “Mendonim se ishim në Izrael, jo në Gjeorgji. Ndërhyrja ishte shumë e ashpër. Miqtë tanë morën goditje të rënda dhe disa humbën vetëdijen”, tha ai duke pretenduar se policia kishte reaguar ashpër ndaj flamujve turq dhe simboleve të Besiktasit.

Kalkan tha se policia fillimisht ua kishte hequr pankartën pasi tifozët e kishin shpalosur para ndeshjes dhe kishte ndërhyrë përsëri kur ata ishin përpjekur ta vendosnin sërish. Megjithatë, sipas tij, në fund arritën ta shpalosnin atë.

“Mendonim se do ta bënim zërin tonë të dëgjohej, por mizoria dhe shtypja e tyre bënë që zëri ynë të dëgjohej gjithandej. Në njëfarë mënyre jemi të lumtur, sepse arritëm ta përcillnim mesazhin që dëshironim. Do të qëndrojmë gjithmonë në krah të Palestinës dhe myslimanëve”, tha ai.

– Ndeshja u ndërpre për shkak të incidenteve në tribuna

Incidentet ndodhën gjatë ndeshjes së së mërkurës në Ligën e Evropës të UEFA-s mes Besiktasit dhe Hapoel Beer-Shevas në Batumi të Gjeorgjisë, kur policia gjeorgjiane ndërhyri ndaj tifozëve në tribuna, në atë që klubi e cilësoi si përdorim joproporcional të forcës.

Policia kishte ndërhyrë edhe ndaj tifozëve që shfaqnin flamuj palestinezë para ndeshjes ndërsa tifozët pretenduan se ndaj tyre ishte përdorur sprej piperi dhe ishte ushtruar dhunë. Pas incidenteve, gjyqtari danez Morten Krogh dhe ekipet u larguan nga fusha për t’u drejtuar në dhomat e zhveshjes ndërsa lojtarët e Besiktasit u përpoqën t’i qetësonin tifozët.

Ndeshja u ndërpre për rreth 40 minuta, përpara se zyrtarët dhe lojtarët të ktheheshin në fushë. Pas një nxehjeje të shkurtër, loja rifilloi. Besiktasi arriti të fitojë me rezultatin 2-1 kundër Hapoel Beer-Shevas.

MARKETING