Klubet e Ligës Premier kërkojnë një dënim të paprecedentë për Man Cityn, futbolli anglez nuk e ka parë kurrë më parë
Pronarët e Manchester City duhet të detyrohen ta shesin klubin si ndëshkim për shkeljen e rregullave financiare, sipas figurave kryesore në disa klube të Ligës Premier, shkruan BBC.
Drejtuesit e tri ligave të para angleze i thanë Shërbimit Publik Britanik se një ndëshkim i tillë do të ishte i përshtatshëm për Manchester Cityn, i cili u shpall fajtor për shkelje të rregulloreve financiare të Ligës Premier midis viteve 2009 dhe 2018 dhe për mosbashkëpunim me hetimin.
Paneli i pavarur ende nuk ka vendosur për dënimin, i cili mund të përfshijë një gjobë, zbritje pikësh, heqjen e titujve të fituar më parë ose edhe përjashtimin nga liga. Manchester City i mohon akuzat dhe ka apeluar vendimin.
Klubet angleze duan që pronarët ta shesin Cityn
Një nga drejtuesit, i cili foli për BBC-në në kushte anonimiteti, tha se ishte pjesë e një grupi klubesh që besojnë se çdo ndëshkim për Manchester Cityn do të jetë i pakuptimtë nëse pronarët e saj nuk detyrohen ta shesin klubin. Ai shtoi se një ndëshkim më i lehtë do t’i bënte ata të pyesnin pse klubet financojnë Autoritetin e Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR) në radhë të parë.
Një tjetër drejtues theksoi se shkelja e rregullave ka dëmtuar besueshmërinë e Ligës Premier dhe se klubet nuk do të jenë në gjendje ta lënë pas skandalin nëse pronarëve aktualë të Manchester Cityt u lejohet të qëndrojnë në klub.
City u shpall fajtor për rritje artificiale të të ardhurave dhe fshehje të humbjeve në shumën prej më shumë se një miliard eurosh përmes kontratave fiktive tregtare. Pronari i Manchester City është Abu Dhabi United Group, një kompani private investimesh në pronësi të Sheikh Mansour, Zëvendëspresident dhe Zëvendëskryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Liga Premier u kërkoi klubeve të mos flisnin publikisht për dënimin
Ekzekutivi anonim zbuloi se Liga Premier u ka kërkuar klubeve të përmbahen nga shprehja publike e pikëpamjeve të tyre mbi ndëshkimet e mundshme dhe të lejojnë përfundimin e procesit.
Megjithatë, disa klube thuhet se ua kanë bërë të qarta pikëpamjet e tyre përfaqësuesve të organit rregullator në biseda private. Ai gjithashtu pranoi se disa klube nuk kanë një qëndrim kaq të vendosur për ndëshkimet.
Fakti që disa klube duan një dënim të paprecedentë për shitje të detyruar do të ushtrojë presion shtesë mbi presidentin e organit rregullator, David Kogan.

