Protestë pro-palestineze në Lituani kundër lidhjeve akademike me Izraelin
Dhjetëra protestues pro-palestinezë u mblodhën në kryeqytetin e Lituanisë, duke i bërë thirrje Universitetit të Vilniusit të ndërpresë lidhjet akademike dhe ekonomike me institucionet izraelite, raportoi sot transmetuesi publik LRT, transmeton Anadolu.
Protestuesit në sheshin “Daukanto” brohoritën slogane në mbështetje të Palestinës dhe mbanin pankarta ku kërkohej vendosja e sanksioneve ndaj Izraelit. Disa prej tyre akuzuan partnerët izraelitë të universitetit se kontribuojnë në operacionet ushtarake të Izraelit.
“Ne kërkojmë ndërprerjen e lidhjeve me Izraelin. Kjo përfshin lidhjet akademike dhe ekonomike”, tha Leja Kalvelyte, përfaqësuese e një grupi studentor pro-palestinez në universitet. Organizatorët u bënë thirrje drejtuesve të universitetit që t’i përgjigjen një letre të hapur të dorëzuar gjashtë muaj më parë dhe të nënshkruar nga disa qindra anëtarë të komunitetit të tij akademik.
Në letër kërkohet që universiteti të ndërpresë bashkëpunimin me institucionet izraelite, të pranojë atë që nënshkruesit e përshkruajnë si krime masive të kryera nga Izraeli dhe t’u ofrojë studentëve palestinezë mundësi për të studiuar në këtë universitet, njësoj siç ka bërë me studentët ukrainas që nga viti 2022.
Protestuesit kritikuan gjithashtu programet e shkëmbimit dhe projektet kërkimore që përfshijnë Universitetin e Tel Avivit dhe Universitetin Ben-Gurion, për të cilat thanë se kanë lidhje me industrinë izraelite të armëve. Universiteti i Vilniusit deklaroi se mbështet të drejtën e studentëve për të ngritur shqetësimet e tyre ndërsa partnerët e tij izraelitë i cilësoi si “universitete të pavarura izraelite me autonomi akademike”.
Universiteti tha se gjatë marrjes së vendimeve për partneritetet merr parasysh politikën e jashtme dhe angazhimet ndërkombëtare të Lituanisë si dhe lirinë akademike dhe parimin e mosdiskriminimit.

