Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos: Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar në BE deri në vitin 2030

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos: Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar në BE deri në vitin 2030

Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin, Marta Kos ka dekalruar se Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar në BE deri në vitin 2030, raporton Anadolu.

Duke folur në konferencën për mediat me kryeministrin Rama pas përfundimit të Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, Kos tha se zgjerimi po ndodh realisht.

Komisionerja Kos theksoi se ky vit ka qenë viti më i suksesshëm për procesin e zgjerimit gjatë 25 viteve të fundit.

“Shqipëria mund t’i përmbyllë të gjithë kapitujt për negociata në qoftë se do të ketë rezultate të reformave dhe sigurisht dhe në rast se shtetet anëtare do të japin dritën e gjelbër për Shqipërinë dhe në qoftë se ndodhin këto gjëra, rreth kësaj kohe (2027) ne mund të jemi shumë pranë fundit të negociatave. Në qoftë se gjithçka ecën siç duhet traktati i anëtarësimit mund të nënshkruhet në vitin 2028, që do të thotë, varet nga procesi i ratifikimit, vizioni i qeverisë tuaj edhe i qytetarëve në rast se e kam kuptuar siç duhet. Shqipëria mund të bëhet shtet anëtar në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”.

Kos tha ndër të tjera sa i përket reformave, sundimi i ligjit, reforma në drejtësi janë në thelb të asaj që Shqipëria ka bërë për anëtarësimin në BE.

Në Tiranë u mbajt sot Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian (BE), ku përveç kryeministrit Rama dhe komisioneres Kos, morën pjesë edhe zyrtarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

MARKETING