Shënohet Dita e Shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës

Shënohet Dita e Shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës

Në Sarajevë u shënua sot Dita e Shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës, (BeH) 25 Nëntori, me vendosjen e luleve në disa memoriale dhe ngritjen solemne të flamurit shtetëror në kodrën Hum ndërsa pjesa qendrore e programit do të mbahet sonte me një pritje solemne në Presidencën e BeH-së, raporton Anadolu.

Shënimi filloi këtë mëngjes në kodrën Hum mbi Sarajevë, ku u shpalos flamuri i BeH, ndërsa u intonua himni shtetëror. Në ceremoninë solemne morën pjesë kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Denis Beqiroviq, zëvendëskryetari i Federatës së BeH-së, Igor Stojanoviq, kryetari i Komunës së Sarajevës, Samir Avdiq si dhe zyrtarë dhe politikanë të tjerë.

Delegacione të shumta vendosën lule dhe nderuan luftëtarët e rënë dhe viktimat në memorialin “Flaka e Përjetshme”, në Kovaçi dhe para Memorialit për Fëmijët e Vrarë të Sarajevës së Rrethuar 1992-1995. Duke uruar qytetaret dhe qytetarët e BeH-së për Ditën e Shtetësisë, Beqiroviq tha se bëhet fjalë për një nga datat më madhështore në historinë e gjatë të vendit, duke theksuar se delegatët e Këshillit Shtetëror Antifashist për Çlirimin Popullor të BeH-së (ZAVNOBiH) i kanë bërë krenarë të gjithë qytetarët dhe popujt e BeH-së.

Homazhe bënë delegacionet e Presidencës së BeH-së, përfaqësuesit e SABNOR-it, Forcave të Armatosura të BeH-së, Qeverisë së Federatës së BeH-së, Kantonit të Sarajevës, Komunës së Sarajevës, organizatave dhe shoqatave të veteranëve të luftës si dhe institucioneve dhe organizatave të tjera.

– Festë që bashkon
Duke iu drejtuar gazetarëve në Kovaçi, Beqiroviq theksoi se Dita e Shtetësisë nuk është festë që diskriminon apo përjashton dikë, por një festë që bashkon të gjithë qytetarët dhe popujt e BeH-së. “Dita e Shtetësisë nuk është festë që diskriminon apo përjashton dikë. Është një festë që bashkon. Dhe vërtet të gjithë qytetarët dhe popujt e Bosnjë e Hercegovinës duhet të jenë krenarë për veprën e pavdekshme të delegatëve të ZAVNOBiH-it”, tha Beqiroviq.

Duke iu referuar deklaratave të disa drejtuesve të entitetit Republika Sërpska, të cilët mohojnë vazhdimësinë e BeH-së, ai u tha atyre se duhet ta shohin të vërtetën në sy dhe të mësojnë faktet themelore kushtetuese dhe juridike.

“Në nenin 1 të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës përcaktohet shumë qartë vazhdimësia e Bosnjë e Hercegovinës dhe aty thuhet qartë se Bosnjë e Hercegovina vazhdon ekzistencën e saj juridike sipas të drejtës ndërkombëtare si shtet. Gjithashtu, në nenin 12 të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës thuhet qartë se Bosnjë e Hercegovina ka një kushtetutë të re, por se kjo kushtetutë ndryshon përmes amendamenteve Kushtetutën e Republikës së Bosnjë e Hercegovinës”, tha Beqiroviq.

– Për lëvizjen antifashiste
Beqiroviq komentoi edhe pretendimet për ekzistencën e dy lëvizjeve antifashiste në BeH gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i cilësuar ato si të pavërteta. “Kjo është një e pavërtetë e hapur. Ekzistonte vetëm një lëvizje antifashiste e Titos, e cila e rivendosi shtetësinë e Bosnjë e Hercegovinës”, tha ai.

Lëvizjen çetnike të Ravna Gorës e cilësoi si një lëvizje fashiste që kishte ideologji dhe program gjenocidal, duke theksuar se lëvizja antifashiste dhe ajo partizane nuk mund të barazohen kurrë me lëvizjen çetnike.

– Dita e Shtetësisë, 83 vjet pas ZAVNOBiH-it
Pritja solemne me rastin e Ditës së Shtetësisë së BeH-së do të mbahet sonte në ndërtesën e Presidencës së BeH-së ndërsa nikoqirë do të jenë anëtarët e Presidencës së BeH-së, Darijana Filipoviq dhe Denis Beqiroviq. Programi qendror solemn për shënimin e Ditës së Shtetësisë do të mbahet në orët e mbrëmjes në Qendrën Kulturore Boshnjake në Sarajevë.

Dita e Shtetësisë së BeH-së shënohet më 25 nëntor në kujtim të Mbledhjes së Parë të Këshillit Shtetëror Antifashist për Çlirimin Popullor të Bosnjë e Hercegovinës (ZAVNOBiH), e mbajtur më 25 nëntor 1943 në Mrkonjiq Grad. Në atë mbledhje u rivendos shtetësia e BeH-së dhe u konfirmua barazia e saj si dhe u përcaktuan të drejtat individuale dhe kolektive të qytetarëve. Në atë kohë u arrit marrëveshja se BeH nuk është as serbe, as kroate, as myslimane, por edhe serbe, edhe kroate, edhe myslimane.

Mbledhja e Dytë e ZAVNOBiH-it u mbajt në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut të vitit 1944 në Sanski Most, ndërsa e treta në prill të vitit 1945 në Sarajevë. Me rastin e Ditës së Shtetësisë, sot është ditë pushimi në Federatën e BeH-së ndërsa institucionet e Republikës Srpska nuk e shënojnë këtë festë shtetërore.

– Urime nga SHBA-ja, Turqia dhe vende të tjera
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio u ka dërguar urime qytetarëve të BeH-së me rastin e 25 nëntorit, Ditës së Shtetësisë, duke përcjellë mesazhin se SHBA-ja mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të BeH-së.

Në mesazhin nga Washingtoni, ai theksoi veçanërisht rëndësinë e paqes dhe stabilitetit si themele të një të ardhmeje më të begatë, duke konfirmuar se SHBA-ja i vlerëson marrëdhëniet me BeH-në dhe dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin me udhëheqësit e saj të sapozgjedhur.

“SHBA-ja i vlerëson marrëdhëniet tona të forta dhe mbeten fuqimisht të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Rubio. Ai iu referua edhe zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në tetor, duke theksuar se SHBA-ja pret vazhdimin e bashkëpunimit me përfaqësuesit politikë të zgjedhur nga qytetarët.

Një ditë më parë, urime me rastin e Ditës së Shtetësisë së BeH-së, Denis Beqiroviq-it i kishte dërguar edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili shprehu pritshmërinë se do të bashkëpunojë me udhëheqësit e rinj në Bosnjë e Hercegovinë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Republikës së Turqisë në Sarajevë dërguan urime përmes rrjetit social të kompanisë amerikane X. “Gëzuar Ditën e Shtetësisë së Bosnjë e Hercegovinës. I përcjellim urimet tona më të mira popullit mik dhe vëllazëror të Bosnjë e Hercegovinës”, thuhet në mesazh.

Deri më tani, urime kanë dërguar edhe presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane i Kroacisë, Gordan Gërliq-Radman si dhe institucionet dhe zyrtarët përkatës të Moldavisë, Rumanisë, Italisë, Danimarkës dhe vendeve të tjera, si dhe organizatave ndërkombëtare.

MARKETING