Rrëzohet një avion i vogël në SHBA, humbin jetën 6 persona
Gjashtë persona që ndodheshin në bordin e një avioni të vogël humbën jetën pasi avioni u rrëzua në brigjet e Misisipit ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit gjetën trupat e tyre pas disa orësh kërkimesh, njoftoi sot Roja Bregdetare e SHBA-së, transmeton Anadolu.
Zhytësit e Departamentit të Burimeve Detare të Misisipit gjetën trupat e të gjashtë personave brenda trupit të avionit, rreth 3,2 kilometra në verilindje të ishullit Horn, sipas një deklarate të Rojës Bregdetare.
Operacioni i kërkim-shpëtimit nisi të martën pasdite, pasi kontrollorët e trafikut ajror në Mobile të Alabamës raportuan humbjen e kontaktit me një avion “Cessna 210”, në bordin e të cilit ndodheshin gjashtë persona, rreth orës 15:45 sipas kohës lokale (21:45 GMT).
Roja Bregdetare angazhoi ekipe ajrore dhe detare ndërsa koordinoi kërkimet me agjencitë federale, shtetërore dhe lokale. Operacioni zgjati rreth katër orë, përpara se zhytësit të gjenin personat në bord, duke i dhënë fund kërkimeve.
“Ky është një përfundim tejet i dhimbshëm dhe ngushëllimet tona më të sinqerta janë me familjet dhe të dashurit e viktimave, të cilët po përballen me një humbje të paimagjinueshme”, tha komandanti Trevor Blount, koordinator i misionit të kërkim-shpëtimit në sektorin Mobile të Rojës Bregdetare.
Ai falënderoi agjencitë e përfshira, duke theksuar se bashkëpunimi mes tyre ndihmoi në gjetjen e personave në bord dhe në përmbylljen e kërkimeve për familjet e tyre.
Edhe drejtori ekzekutiv i Departamentit të Burimeve Detare të Misisipit, Joe Spraggins, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke e cilësuar nxjerrjen e trupave si një përgjegjësi të rëndë.
Në operacion morën pjesë ekipet e Rojës Bregdetare, Departamenti i Burimeve Detare të Misisipit, zhytës nga qarku Harrison, policia e Pascagoulas, FBI-ja dhe një ekip i Forcave Ajrore amerikane me avion C-130.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) pritet të drejtojë hetimet për përcaktimin e shkakut të aksidentit.

