Qeveria e Libisë me bazë në Tripoli mohon çdo marrëveshje paraprake me Ukrainën për sulmet në Bengazi

Qeveria e Libisë me bazë në Tripoli mohon çdo marrëveshje paraprake me Ukrainën për sulmet në Bengazi

Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë, me seli në Tripoli, të martën hodhi poshtë pretendimet se ka pasur një marrëveshje paraprake me Ukrainën lidhur me sulmet e fundit ndaj një anijeje ruse në Bengazi, transmeton Anadolu.

Të dielën, një anije ruse e ankoruar në portin e Bengazit dhe një anije mallrash malteze që ndodhej pranë bregut, u vunë në shënjestër nga sulme me dronë, sipas burimeve libiane dhe mediave lokale.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, konfirmoi se dronët detarë ukrainas fundosën korvetën ruse “Merkury”, shkatërruan një helikopter ushtarak Ka-27 dhe goditën një anije mallrash ruse pranë bregdetit libian.

“Në lidhje me pretendimet që po qarkullojnë sërish në disa media pas ngjarjeve të pakëndshme në Bengazi, Departamenti për Mediat e Huaja konfirmon se akuzat për ekzistimin e ndonjë marrëveshjeje me palën ukrainase lidhur me këto ngjarje janë të pabaza,” thuhet në deklaratën e departamentit.

“Në këtë kontekst, departamenti rikujton deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të datës 12 shtator, e cila ndalon përdorimin e territorit dhe objekteve libiane si pikënisje për veprime armiqësore”, shtohet më tej.

Departamenti theksoi se të gjitha marrëveshjet ushtarake lidhen përmes kanaleve zyrtare dhe në përputhje me kornizat ligjore që mbrojnë sovranitetin dhe sigurinë e Libisë.

Departamenti nënvizoi se prania e forcave të huaja jashtë autoritetit shtetëror kërcënon sigurinë e Bengazit dhe rrezikon ta përfshijë Libinë në konflikte ndërkombëtare. Megjithatë, prania e tyre nuk justifikon shkeljet e sovranitetit libian, theksoi ai.

Departamenti u bëri thirrje mediave “ta përfshijnë këtë sqarim në raportimet e tyre dhe t’u drejtohen autoriteteve kompetente për të verifikuar pretendimet përpara se t’i publikojnë ato”.

MARKETING