Palestina dhe BE-ja pajtohen për krijimin e një komisioni të përbashkët për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme

Palestina dhe BE-ja pajtohen për krijimin e një komisioni të përbashkët për përgatitjen e zgjedhjeve të përgjithshme

Zëvendëspresidenti palestinez, Hussein al-Sheikh dhe përfaqësuesi i BE-së për Bregun Perëndimor, Gazën dhe UNRWA-në, Andreas Fiedler, u pajtuan të martën për krijimin e një komisioni të përbashkët teknik palestinezo-evropian për përgatitjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, transmeton Anadolu.

Marrëveshja u arrit gjatë një takimi mes al-Sheikhut dhe Fiedlerit në Ramallah, ku morën pjesë edhe zyrtari për komunikim i Zyrës së BE-së, Shadi Othman, dhe shefja e kabinetit të zëvendëspresidentit, Ayah AlMuhisin, sipas një deklarate të zyrës së al-Sheikhut.

“Takimi trajtoi zhvillimet e fundit lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, domosdoshmërinë e përgatitjes për këto zgjedhje dhe bashkëpunimin për krijimin e kushteve të përshtatshme për të garantuar zgjedhje transparente dhe të drejta”, tha al-Sheikh në deklaratë.

“U ra dakord për krijimin e një komisioni të përbashkët teknik palestinezo-evropian për këtë qëllim”, shtoi ai.

Deklarata nuk dha hollësi të tjera lidhur me mandatin e komisionit apo kohën kur ai do të nisë punën.

Zgjedhjet e fundit parlamentare palestineze u mbajtën në vitin 2006, kur Hamasi fitoi shumicën e vendeve.

Përplasjet e brendshme mes grupeve të Hamasit dhe Fatahut shpërthyen në vitin 2007 dhe përfunduan me marrjen e kontrollit të Rripit të Gazës nga Hamasi, ndërsa Autoriteti Palestinez, i udhëhequr nga Fatahu, ruajti kontrollin mbi disa pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Këshilli Legjislativ Palestinez nuk ka funksionuar që nga viti 2007 dhe u shpërbë zyrtarisht me një vendim të Gjykatës Kushtetuese Palestineze në vitin 2018.

Një dekret presidencial i nxjerrë më 15 janar 2026 parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare më 28 nëntor, por udhëheqja palestineze më vonë i shtyu ato për më 11 shtator 2027.

Autoriteti Palestinez ia atribuoi shtyrjen pengesave izraelite dhe kushteve politike, të sigurisë dhe në terren, përfshirë mungesën e kushteve të nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve në Gaza, kufizimet ndaj veprimtarisë së komisionit zgjedhor dhe vëzhguesve, si dhe kufizimet në Kudsin Lindor të pushtuar dhe në Bregun Perëndimor.

MARKETING