(VIDEO) Çdo i dyti qytetar pi duhan: Çdo duhanpirës harxhon afro 5000 denarë në muaj

(VIDEO) Çdo i dyti qytetar pi duhan: Çdo duhanpirës harxhon afro 5000 denarë në muaj

50% e qytetarëve të rritur pinë cigare ndërsa pirja e përditshme e duhanit është rritur nga 43% në 48,1%. Këto janë rezultatet e hulumtimit kombëtar të organizatës Analitika për vitin 2026, i realizuar me 1.065 persona të rritur, i cili u prezantua sot në konferencën kombëtare me temë “Nga të dhënat te politikat: Si ta ulim koston e duhanpirjes?”, të organizuar nga organizata kërkimore Analitika, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Sipas hulumtimit, 62 % e qytetarëve që kanë vizituar restorante dhe kafene kanë deklaruar se kanë qenë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit në objektet e gastronomisë.

Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski deklaroi se çështja e pirjes së duhanit duhet të trajtohet edhe nga këndvështrimi i përballueshmërisë së cigareve, përkatësisht përmes çmimit që paguajnë duhanpirësit, por edhe i kostos që bartë e gjithë shoqëria.

SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Kemi një situatë në të cilën një duhanpirës mesatar shpenzon më shumë për duhan sesa për sigurimin shëndetësor. Personat që paguajnë sigurimin shëndetësor ndajnë rreth 500 euro në vit, ndërsa, së bashku me anëtarët e familjes që mbulohen nga sigurimi, mendoj se sigurimi shëndetësor vjetor kushton rreth 420 euro. Në anën tjetër, për cigare shpenzohen mbi 600 euro në vit. Mendoj se kjo është një situatë e paqëndrueshme, në të cilën gjysma e popullsisë shpenzon më shumë para për të dëmtuar shëndetin e vet sesa për ta mbrojtur atë”.

Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në vend doktor Akim Ali tha se cigaretat duhet të bëhen të shtrenjta dhe të papërballueshme për qytetarët përmes akcizave të larta dhe se duhanpirja duhet të shihet si varësi e jo si stil jetese.

AKIM ALI, PËRFAQËSUESI I ORGANIZATËS BOTËRORE TË SHËNDETËSISË NË RMV

“Njerëzit duhet të ndalen dhe të mendojnë para se të nxjerrin portofolin për të blerë cigare. Kjo është masa e parë. Së dyti dhe kjo është shumë e rëndësishme, personat që nuk pinë duhan nuk duhet të ekspozohen ndaj tymit të tij. Kjo duhet të zbatohet pa kompromis. Edhe në RMV mund të arrijmë në këtë nivel, sepse kemi qenë aty edhe më parë. Ekziston një ligj në Kuvend. Së treti, pirja e duhanit nuk është aspak zgjedhje e stilit të jetesës”.

Drejtoresha ekzekutive e Analitikës, Bojana Mijoviq Hristovska tha se sipas hulumtimit më shumë se një e katërta e qytetarëve pinë mbi 20 cigare në ditë dhe se konsiderohen duhanpirës të rëndë. Ajo theksoi se çdo i dhjeti qytetar është përpjekur ta lërë duhanin, por mesatarisht ka arritur të qëndrojë pa pirë duhan vetëm për një periudhë prej dy muajsh e gjysmë dhe se ndër motivet që i kanë shtyrë të përpiqen ta lënë duhanin kanë qenë çmimi i cigareve dhe këshillat e mjekut.

BOJANA MIJOVIQ HRISTOVSKA, DREJTORSHË EKZEKUTIVE E ORGANIZATËS ANALITIKA

“Nëse pagat janë rritur realisht për 36 për qind, çmimet e cigareve janë rritur vetëm për 8,8 për qind. Ato jo vetëm që nuk janë rritur në të njëjtin ritëm, por edhe pjesëmarrja e shpenzimeve për cigare në pagën mesatare mujore është zvogëluar, duke bërë që cigaret ndër vite të jenë bërë më të përballueshme financiarisht.Pavarësisht kësaj, shpenzimet mujore për cigare mbeten të konsiderueshme dhe arrijnë në rreth 4.800 denarë në muaj, ndërsa në nivel vjetor tejkalojnë vlerën e një page mesatare mujore”

Përfaqësuesit kërkuan miratimin e menjëhershëm të Ligjit për Mbrojtjen nga Pirja e Duhanit, i cili ndodhet në fazën e leximit të dytë, si dhe vendosjen e masave për të ndihmuar qytetarët që të lënë duhanin. Anketa e mëparshme e organizatës Analitika ka treguar se 17 % e popullsisë së re konsumon cigare, ndërsa përdorimin e cigareve elektronike të rinjtë e fillojnë që në moshën 16-vjeçare.

 

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING