Merz: Evropa është e gatshme të negociojë me Rusinë

Merz: Evropa është e gatshme të negociojë me Rusinë

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se Evropa është e gatshme të negociojë me Rusinë, duke shtuar se bisedimet e paqes në nivel këshilltarësh, ku do të përfshihen Ukraina, Rusia, Evropa dhe SHBA-ja, mund të zhvillohen sërish në Abu Dhabi gjatë javëve të ardhshme, raporton Anadolu.

“Natyrisht, Evropa është e gatshme të negociojë me Rusinë”, tha Merz në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke përsëritur se Evropa synon një paqe “të drejtë” dhe “të qëndrueshme” në Ukrainë.

Kancelari gjerman theksoi se së shpejti mund të zhvillohen negociata në nivelin e këshilltarëve për sigurinë kombëtare, në formatin që përfshin Ukrainën, Rusinë, Evropën dhe SHBA-në.

“Kjo, për shembull, mund të zhvillohet sërish në Abu Dhabi. Shpresojmë që edhe pala ruse të jetë e gatshme të marrë pjesë në këto bisedime, për të cilat është arritur marrëveshje me SHBA-në”, tha ai.

Merz kërkon përfundimin e provokimeve ruse në hapësirën ajrore

Merz gjithashtu i bëri thirrje Moskës që t’u japë fund shkeljeve të hapësirës ajrore ndaj aleatëve evropianë të NATO-s.

“Dua ta them shumë qartë dhe pa asnjë ekuivok, Rusia duhet t’i ndalojë menjëherë këto provokime, këto provokime të rrezikshme. Polonia mund të llogarisë në solidaritetin tonë të plotë në këtë drejtim”, theksoi Merz.

Ai iu referua gjithashtu incidenteve të fundit në Detin Baltik dhe tensioneve në rritje ndërmjet Rusisë dhe Finlandës, në një kohë kur janë raportuar shkelje të hapësirës ajrore dhe një sulm i dyshuar me dron ukrainas ndaj një anijeje mallrash ruse në Gjirin e Finlandës.

“Ne kemi qenë në komunikim intensiv me njëri-tjetrin gjatë fundjavës. Sipas vlerësimit tonë, Finlanda ka vepruar me maturi dhe përgjegjësi të madhe, për çka jemi mirënjohës”, tha Merz.

“Sepse asnjëri prej nesh nuk ka interes për një përshkallëzim të situatës në rajonin e Detit Baltik. Stabiliteti dhe siguria e kësaj zone kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Mbi të gjitha, lundrimi i lirë nuk duhet të vihet në rrezik”, shtoi ai.

Merz e cilëson “gabim” vendimin e vitit 2008 në Bukuresht

I pyetur nëse ndan qëndrimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, se ka ardhur koha të diskutohet anëtarësimi i Ukrainës në NATO, Merz tha se, duke parë zhvillimet në retrospektivë, ai konsideron se ishte gabim mos ndjekja e propozimit amerikan në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 për pranimin e Ukrainës në aleancë.

“Mendoj se sot të gjithë e kuptojmë, të paktën duke parë prapa, se ishte gabim të mos ndiqej propozimi amerikan në vitin 2008, në samitin e NATO-s në Bukuresht, për pranimin e Ukrainës në NATO. Nëse ajo do të ishte bërë anëtare e NATO-s, kjo luftë ndoshta do të ishte parandaluar”, tha Merz.

Merz la të kuptohej se qëndrimi francez është logjik dhe përputhet me garancitë e sigurisë që i nevojiten Ukrainës dhe që Gjermania dhe partnerët e saj synojnë t’i ofrojnë pas përfundimit të luftës.

“Garancitë e sigurisë duhet të jenë të ngjashme me ato të Nenit 5. Në këtë drejtim, këto garanci tashmë i afrohen shumë anëtarësimit në NATO”, tha ai.

“Dhe, sinqerisht, nuk mund ta imagjinoj të ardhmen e Ukrainës pa garanci të tilla sigurie, për të cilat ajo ka nevojë urgjente. Këto nuk janë garanci sigurie vetëm për Ukrainën, por për të gjithë ne”, shtoi Merz.

MARKETING