(VIDEO) Përplasje për bursat, BDI flet për diskriminim, Sulejmani premton bursa sociale
Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon se nga 817 bursa të ndara, vetëm 80 janë për nxënës shqiptarë. Ata kërkojnë përgjegjësi nga VLEN dhe zëvendës ministri i Arsimit Driton Sulejmani për siç thonë këtë përfaqësimin e pabarabart, pasi sipas tyre këto shifra tregojnë se pjesëmarrja e shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të përfituesve është më pak se 10 për qind.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“Edhe më shqetësues është fakti se në kategori të caktuara, përfaqësimi shqiptar është krejtësisht i papërfillshëm. Në kategorinë e nxënësve të talentuar, nga gjithsej 50 bursa të ndara, asnjë nxënës shqiptar nuk ka përfituar bursë”.
Sipas BDI-së edhe në kategorinë e artistëve të talentuar, vetëm 4 nxënës shqiptarë kanë përfituar bursë, përballë 150 bursave të ndara gjithsej.
Ndërkoh, këtyre akuzave u është përgjigjur zëvendës ministri Driton Sulejmani. Ai thotë se bursat nuk ndahen mbi bazën e përkatësisë etnike apo preferencave politike, por mbi bazën e kritereve të përcaktuara qartë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Megjithatë, ai thotë se është me rëndësi të theksohet se rezultatet e publikuara deri më tani nuk paraqesin pasqyrën përfundimtare të shpërndarjes së bursave për vitin shkollor 2026/2027.
Driton Sulejmani, zv/ministër i Arsimit dhe Shkencës
“Gjatë këtyre ditëve pritet publikimi edhe i rezultateve për dy kategori të tjera shumë të rëndësishme: 900 bursa për mbështetje sociale të nxënësve, ku vlerësohen edhe gjendja ekonomike dhe sociale e familjeve, si dhe 1.570 bursa për nxënësit e regjistruar në paralele duale”.
Sipas Sulejmanit në këto dy kategori, interesimi i nxënësve shqiptarë ka qenë dukshëm më i madh. Ai fton të gjithë aktorët politikë që çështjet e arsimit siç shprehet të mos i trajtojnë vetëm përmes deklaratave politike, por të kontribuojnë në informimin dhe inkurajimin e nxënësve për të shfrytëzuar mundësitë që u ofrohen.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

