(VIDEO) Mickoski zotohet për zgjidhje inovative që as Europa nuk e ka
Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se subvencionet studentore do të rriten. Ai tha se përveç rritjes së subvencioneve Qeveria po përgatit përfitime shtesë për t’ua lehtësuar financiarisht përditshmërinë studentëve duke paralajmëruar një model të ri të mbështetjes, i cili tha se nuk do të kufizohet vetëm në mjetet për ushqim. Mickoski u zotua se po punohet për një zgjidhje inovative digjitale, e cila siç thotë ai nuk ekziston askund në Evropë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ajo që ne si Qeveri dëshirojmë të arrijmë është që në masë të madhe ta përmirësojmë standardin e studentëve. Tani po flas për standardin studentor dhe vaktin studentor. vaktin studentor, të cilin dëshirojmë ta zgjidhim në një mënyrë tjetër, inovative, përmes aplikacionit “m-Shërbime”, pra studentët jo vetëm që do të përfitojnë rritje të shumës që do ta përdorin për të siguruar vaktin studentor, por njëkohësisht, përmes aplikacionit do të përfitojnë edhe privilegje të tjera që aktualisht nuk i kanë”.
I pyetur lidhur me masat e qeverisë për rritjet e pritshme të çmimeve në energjetikë Mickoski tha se Qeveria do ta mbrojë standardin jetësor të qytetarëve me të gjitha mekanizmat e mundshëm dhe do të bëjë gjithçka që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore. Ai theksoi gjithashtu se nuk ka informacione lidhur me paralajmërimet e Komisionit Rregullator për Energjetikë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Si Qeveri, do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që ky çmim të mos rritet dhe, me të gjitha mekanizmat e mundshëm, do ta mbrojmë standardin jetësor të qytetarëve. Kjo, pavarësisht se çmimi në bursat e energjisë elektrike është katër deri në pesë herë më i lartë se çmimi që do ta ofrojë SHA EMV. Megjithatë, kemi përgatitur një model inovativ të biznesit, për të cilin jemi duke diskutuar me udhëheqësinë e SHA EMV”.
Mickoski i pyetur për masat e reja të paralajmëruara për mbështetje të të rinjëve tha se bëhet fjalë për ligje që shumë shpejtë do të paraqiten para deputetëve. Konkretisht ai sqaroi masën e ndërtesave të banimit ku tha se çdo kompani ndërtimore që në të ardhmen do të ndërtojë objekte banimi, do të jetë e detyruar që paraprakisht të përcaktojë të paktën 10% të sipërfaqes së banimit, e cila më pas do t’u ofrohet çifteve të reja bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare, me një çmim të paktën 20% më të ulët se çmimi mesatar i tregut në atë komunë kadastrale gjatë vitit paraprak.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

