(VIDEO) Euroambasadori Rokas: Faza e ardhshme nis me ndryshimet kushtetuese

(VIDEO) Euroambasadori Rokas: Faza e ardhshme nis me ndryshimet kushtetuese

Mungesa e parashikueshmërisë së mjaftueshme të procesit të mëtejshëm të anëtarësimit dhe të rrugës sonë drejt BE-së, mungesa e një kufiri mjaftueshëm të qartë ndërmjet kritereve për anëtarësim dhe çështjeve politike dypalëshe, si dhe mungesa e garancive të mjaftueshme institucionale se përmbushja e kushteve të dakorduara do të mundësojë përparim real në negociata dhe në vetë procesin – janë disa nga dimensionet e rëndësishme për përparimin e shtetit drejt BE-së, të cilat i theksoi presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në fjalimin e saj në seancën e përbashkët të Komisionit për Çështje Evropiane dhe Këshillit Nacional për Integrime Evropiane, ku po debatohet për Raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë për vitin 2026. Ajo tha se, Maqedonia e Veriut nuk po kërkon privilegje apo trajtim të veçantë por, zbatim konsekuent të rregullave, parimeve dhe vlerave evropiane.

Gordana Siljanovska – Davkova, presidente e RMV-së

“Të gjithë së bashku, si ne, ashtu edhe fqinjët tanë dhe partnerët tanë evropianë, duhet të bëjmë diçka për të dalë nga ky labirint. Çdokush që pretendon se bëhet fjalë vetëm për ndryshime kushtetuese, mendoj se nuk është i sinqertë. Ose ka një qëllim të caktuar, ose nuk ka dëshirë ta kuptojë sfondin e shqetësimit tonë. Në këtë drejtim, dua të theksoj se mesazhi im për të gjithë fqinjët tanë është se marrëdhëniet e mira fqinjësore duhet të jenë urë drejt BE-së dhe jo instrument për shtyrjen e pacaktuar të perspektivës evropiane të fqinjit”.

Ndërkaq, euroambasadori Mihalis Rokas, tha se, Maqedonia e Veriut është në mesin e shteteve me nivelin më të lartë të gatishmërisë, harmonizimin e legjislacionit nacional me atë të Bashkimit Evropian është përmirësuar, veçanërisht në sferën e arsimit dhe digjitalizimit, por se duhet të përmbushen kushtet për të cilat janë dakorduar.

Mihalis Rokas, Euroambasador

“Siç e dini, faza e ardhshme e negociatave qasëse varet prej hapave për të cilat u dakorduam bashkërisht në të kaluarën. E para ndryshimet kushtetuese, e dyta marrëveshje për administratën publike dhe reformat por edhe reforma dhe udhëzimet në gjyqësor dhe planet aksionale që vijnë me të njëjtat. Të gjitha së bashku do të mundësojnë hapjen e kapitullit të parë. Sapo negociatat të hapen tërësisht, Maqedonia e Veriut mund të vazhdojë me punën e saj që e bën momentalisht, ta ecë procesin më shpejtë”.

Nga ana tjetër, lideri i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, në i bëri thirrje euroambasadorit që të ndihmojë në interes të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të vendit, duke theksuar se Maqedonisë i nevojitet ndihma e BE-së për t’u përballur me propagandën përmes së cilës pushteti prej vitesh i paraqet hapat drejt anëtarësimit në BE si tradhti.

Venko Filipçe, LSDM

“Dhe tani do t’i bëj thirrje për ndihmë këtu, ndoshta edhe të komentojë në momentin që dëshiron euroambasadori Rokas. Duke ndjekur shembullin e presidentes Von der Leyen, e cila tha se në Evropë na presin me identitetin dhe gjuhën tonë. A nuk është ky sinjali më i mirë dhe më i fuqishëm se kjo politikë e pushtetit aktual gjatë viteve të fundit, jo vetëm që nga viti 2024, por edhe më herët, sipas së cilës gjithçka që bëri LSDM-ja ishte politikë tradhtie, praktikisht bie poshtë”.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut ka ngecur në procesin eurointegrues, pasi qe Qeveria aktuale nuk pranon që të bëjë ndryshimet kushtetuese, kritere këto që u pranuan nga qeveria e mëparshme..

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING