Medvedev: Rusia ka të drejtë të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur sigurinë e saj

Medvedev: Rusia ka të drejtë të përdorë armë bërthamore për të mbrojtur sigurinë e saj

Rusia ka të drejtë dhe në disa raste detyrim të përdorë të gjitha mjetet e disponueshme për të mbrojtur sigurinë e saj, përfshirë potencialisht armë bërthamore, tha nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusise, Dmitry Medvedev, transmeton Anadolu.

Në një artikull, të botuar sot, Medvedev akuzoi Ukrainën dhe vendet e NATO-s për krijimin e situatave në të cilat Rusia mund të lejojë një sulm bërthamor. Megjithatë, shtoi ai, Moska nuk ka parë “domosdoshmëri të drejtpërdrejtë” për të përdorur armë bërthamore deri më tani në luftën në Ukrainë.

Ai shkroi se para se të marrë vendim të tillë, presidenti Vladimir Putin “gjithmonë mbështetet në një analizë gjithëpërfshirëse të të gjithë faktorëve” dhe në proporcionalitetin midis dëmit real dhe përgjigjes.

“Natyrisht, deri më tani rrjedha e ngjarjeve në krizën ukrainase nuk ka krijuar gjendje domosdoshmërie të drejtpërdrejtë për të përdorur armë bërthamore”, tha ai.

Medvedev citoi mendimin këshillimor të vitit 1996 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) mbi ligjshmërinë e armëve bërthamore, duke argumentuar se gjykata lejon një situatë në të cilën mbijetesa e një shteti bërthamor është në rrezik dhe se e drejta ndërkombëtare nuk e ndalon një shtet bërthamor të përdorë armë bërthamore për të shpëtuar veten.

Një përdorim i tillë, tha ai, nuk do të ishte krim sipas ligjit ndërkombëtar ose shkelje e ndonjë regjimi ligjor ndërkombëtar. Medvedev argumentoi se doktrina bërthamore e Rusisë nuk parashikon drejtpërdrejt përdorim parandalues dhe se dërgesat perëndimore të armëve bërthamore në Kiev, qofshin të hapura apo të fshehta, mund ta detyrojnë Rusinë të marrë një vendim parandalues.

Ai tha se përdorimi masiv i mjeteve jo-bërthamore që mund të shkaktojnë katastrofa mund të jetë bazë për një sulm bërthamor parandalues rus. Medvedev tha se nëse plotësohen kushtet në doktrinë, kreu i shtetit “jo vetëm që ka të drejtë, por është i detyruar” të përdorë armë bërthamore.

“Kievi dhe sponsorët e tij nuk duhet të kenë iluzione të rrezikshme”, theksoi ai.

Ai i quajti përpjekjet e Gjermanisë dhe NATO-s për t’u bashkuar me parandalimin bërthamor “të gabuara”, duke thënë se ndarja bërthamore e NATO-s nuk është interpretim i pranuar përgjithësisht i Traktatit të Mospërhapjes (NPT), i cili ai tha se është i vetëmjaftueshëm, por i dobësuar nga zbatimi selektiv.

Medvedev theksoi se SHBA-ja e sulmoi Iranin me pretekstin e mbrojtjes së regjimit të mospërhapjes, ndonëse Teherani e ka dëshmuar përkushtimin e tij ndaj këtij regjimi.

“Kjo pasqyron standarde të dyfishta dhe motive gjeopolitike”, shtoi ai.

MARKETING