BDI: Vetëm 80 nga 817 bursat u ndanë për nxënësit shqiptarë, reagon zv/ministri Sulejmani

BDI: Vetëm 80 nga 817 bursat u ndanë për nxënësit shqiptarë, reagon zv/ministri Sulejmani

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me rezultatet e konkursit për ndarjen e bursave për nxënës për vitin shkollor 2026/2027, duke pretenduar se nxënësit shqiptarë janë të nënpërfaqësuar.
Sipas të dhënave që paraqet BDI-ja, nga gjithsej 817 bursa të ndara, vetëm 80 u janë akorduar nxënësve shqiptarë, që përbën më pak se 10 për qind të numrit të përgjithshëm të përfituesve.
Nga partia theksojnë se në kategorinë e nxënësve të talentuar, nga 50 bursa të ndara nuk ka përfituar asnjë nxënës shqiptar, ndërsa në kategorinë e artistëve të talentuar, vetëm katër nga gjithsej 150 bursa u janë ndarë nxënësve shqiptarë.
BDI kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe zëvendësministri Driton Sulejmani të japin sqarime për kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes.
“Këto rezultate kërkojnë sqarim publik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe nga zëvendësministri Driton Sulejmani, i cili duhet të shpjegojë se si është siguruar trajtimi i barabartë i nxënësve dhe nëse janë analizuar kriteret, procedurat dhe rezultatet sipas përkatësisë etnike”, thuhet në reagimin e BDI-së.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i zv/ministrit të Arsimit, Driton Sulejmani, i cili ka thënë se
rezultatet e publikuara deri tani kanë të bëjnë me katër kategori me kushte specifike. Sipas tij, këto janë bursat për fëmijët pa prindër, për nxënësit e talentuar, për artistët e talentuar dhe për sportistët e talentuar. Në secilën prej tyre përzgjedhja bëhet mbi bazën e suksesit shkollor dhe të çmimeve ose rezultateve të dokumentuara.
Sulejmani nënvizon se këto rezultate nuk e japin pasqyrën përfundimtare. Në ditët në vijim pritet të publikohen rezultatet për 900 bursa për mbështetje sociale dhe për 1.570 bursa për nxënësit e paraleleve duale në arsimin profesional.
“Pikërisht në këto dy kategori, interesimi i nxënësve shqiptarë ka qenë dukshëm më i madh. Prandaj, çdo analizë për përfaqësimin e nxënësve shqiptarë duhet të marrë parasysh numrin e aplikimeve, plotësimin e kritereve dhe rezultatet në të gjitha kategoritë, e jo vetëm një pjesë të tyre”, thekson ai.

MARKETING