Interi refuzon 60 milionë euro nga Newcastle dhe ofertën e Arsenalit për talentin italian
Interi ka refuzuar ofertat e Arsenalit dhe Newcastle Unitedit për sulmuesin e talentuar italian, Francesco Pio Esposito, duke e konsideruar atë si një futbollist të paprekshëm në planet e klubit zikaltër.
Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Nicolo Schira, të dy klubet angleze kanë shfaqur interesim për transferimin e 21-vjeçarit, por Interi nuk ka pranuar të negociojë largimin e tij.
Newcastle United ka tentuar ta bindë klubin italian me një ofertë prej 60 milionë eurosh, por përgjigjja e drejtuesve zikaltër ka qenë negative.
Besimi i Interit te sulmuesi dëshmohet edhe nga kontrata e re, të cilën Esposito e nënshkroi në shtator dhe që e mban të lidhur me klubin deri në vitin 2032.

