Mbreti Charles falënderon presidentin Erdogan dhe Turqinë për pritjen e COP31

Mbreti Charles falënderon presidentin Erdogan dhe Turqinë për pritjen e COP31

Mbreti i Britanisë, Charles III, falënderoi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe Turqinë për organizimin e samitit të OKB-së për klimën COP31 në Antalya, duke u bërë thirrje liderëve botërorë që zotimet për klimën t’i shndërrojnë në veprime konkrete, transmeton Anadolu.

Në një letër drejtuar Erdoganit dhe presidentit të COP31, Murat Kurum, i cili njëkohësisht shërben si ministër i Mjedisit i Turqisë, Charles shprehu mirënjohjen për bashkimin e komunitetit ndërkombëtar në një moment kritik, thuhet në një deklaratë të Ministrisë turke të Mjedisit.

Ai falënderoi gjithashtu Australinë për rolin e saj si kryesuese e negociatave në samit.

Mbreti paralajmëroi se komunitetet në mbarë botën tashmë po përjetojnë valë ekstreme të të nxehtit, përmbytje, thatësira, zjarre pyjore dhe stuhi, duke theksuar se ndryshimet klimatike nuk janë më kërcënim i largët, por realitet gjithnjë e më i pranishëm.

“Nevoja për veprim nuk ka qenë kurrë më e qartë dhe më urgjente”, tha Charles, duke mirëpritur vendosmërinë e presidencës së COP31 për t’i shndërruar zotimet e mëparshme në rezultate konkrete.

Ai theksoi se eliminimi deri në vitin 2030 i emetimeve të panevojshme të metanit dhe rrjedhjeve të tij nga sektori i naftës dhe gazit do të ishte një nga mënyrat më të shpejta për të ngadalësuar ngrohjen globale në periudhën afatshkurtër, krahas kalimit drejt largimit nga lëndët djegëse fosile.

Charles bëri thirrje gjithashtu për përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër, mbrojtjen e pyjeve dhe oqeaneve, avancimin e elektrifikimit të gjelbër dhe forcimin e qëndrueshmërisë së komuniteteve të cenueshme.

Ai theksoi se arritja e këtyre objektivave do të kërkojë financim të konsiderueshëm dhe bashkëpunim mes qeverive, bizneseve, investitorëve dhe shoqërisë civile.

Mbreti tha se ndërprerjet në tregjet e lëndëve djegëse fosile kanë nxjerrë edhe më shumë në pah rëndësinë e energjisë së ripërtëritshme për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë energjetike.

Duke bërë thirrje për veprim të përbashkët, Charles u kërkoi pjesëmarrësve në samitin e Antalyas të dëshmojnë jo vetëm ambicie, por edhe vendosmëri për ta kthyer atë në veprime konkrete.

“Ky duhet të jetë trashëgimia e COP31”, tha ai.

“Fëmijët dhe nipërit tanë do të na gjykojnë jo nga premtimet që kemi bërë, por nga ajo që kemi zgjedhur të bëjmë”, tha mbreti britanik.

MARKETING