“Safe City” me funksion të ri nga dhjetori, kamerat do të regjistrojnë edhe parkimin e parregullt
Nga fillimi i dhjetorit, sistemi “Safe City” pritet të zgjerojë funksionet e tij, duke regjistruar dhe ndëshkuar automatikisht edhe shoferët që ndalojnë ose parkojnë automjetet në mënyrë të parregullt.
Përveç tejkalimit të shpejtësisë dhe kalimit në semafor të kuq, kamerat e vendosura nga Ministria e Punëve të Brendshme do të evidentojnë edhe shkeljet që lidhen me ndalimin dhe parkimin e parregullt.
Kontrollet do të kryhen në rrugët kryesore dhe bulevardet ku janë vendosur kamerat dhe ku ekzistojnë kushtet teknike për zbatimin e këtij funksioni.
Sipas paralajmërimeve, shoferët nuk do të kenë nevojë të ndalohen nga policia për t’u shqiptuar gjoba, pasi sistemi do ta regjistrojë automatikisht shkeljen. Njoftimet për gjobat do t’u dërgohen pronarëve të automjeteve në mënyrë elektronike.
Sistemi është programuar të bëjë dallimin mes parkimit të parregullt dhe ndalimit të përkohshëm për shkak të kolonave, semaforëve të kuq apo pritjes në kryqëzime.
Me këtë funksion të ri synohet të përmirësohet qarkullimi në rrugët më të frekuentuara dhe të parandalohet bllokimi i korsive të trafikut, shtigjeve të biçikletave dhe vendkalimeve për këmbësorë.

