Parandalohet kontrabandimi i 470 produkteve kozmetike dhe shtesave dietike në dy pika kufitare
Dogana ka parandaluar dy raste të kontrabandimit të gjithsej 470 produkteve kozmetike, artikujve të higjienës personale dhe shtesave dietike në pikat kufitare Qafë Thanë dhe Mexhitli.
Sipas njoftimit të Administratës Doganore, produktet e padeklaruara janë zbuluar gjatë kontrolleve të detajuara të automjeteve të udhëtarëve që hynin në vend.
Në rastin e parë, doganierët kanë zbuluar 352 produkte kozmetike dhe të higjienës personale, ndërsa në rastin e dytë është gjetur një sasi më e madhe e produkteve kozmetike dhe shtesave dietike të markës “Nicer”.
Vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara arrin në rreth 149.000 denarë.
Mallrat janë konfiskuar, ndërsa ndaj personave të përfshirë janë ndërmarrë procedurat përkatëse, njofton Administrata Doganore.

