(VIDEO) UNICEF: Mbi 50% fëmijëve deri në 6 vjeç në rmv nuk shkojnë në çerdhe!
Më shumë se gjysma e fëmijëve deri në moshën gjashtëvjeçare në Maqedoni nuk ndjekin çerdhe. Kështu paralajmëruan nga UNICEF-i, duke bërë thirrje për qasje më të gjerë në arsimin parashkollor cilësor dhe gjithëpërfshirës. Mesazhi u përcoll me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve, të cilën UNICEF-i dhe Bursa e Maqedonisë e shënuan simbolikisht me rënien e ziles së bursës.
Nga UNICEF-i theksuan se, me rënien e natalitetit, zhvillimi i potencialit të çdo fëmije po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, ndërsa investimet në fëmijë duhet të përkthehen në mundësi konkrete për rritje, mësim dhe përparim.
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Velkovski, deklaroi se përmirësimi i qasjes dhe cilësisë së kujdesit dhe edukimit parashkollor është ndër prioritetet më të rëndësishme të Ministrisë.
GJOKO VELKOVSKI, MINISTËRI POLITIKËS SOCIALE
“Vitet e para të jetës janë themeli mbi të cilin ndërtohen personaliteti, aftësitë, vetëbesimi dhe e ardhmja e çdo fëmije. Investimi në fëmijërinë e hershme nuk është vetëm investim te individi, por edhe në zhvillimin dhe prosperitetin e të gjithë shoqërisë sonë”.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, theksoi se çdo fëmijë duhet të ketë mundësinë ta zhvillojë potencialin e tij dhe të mësojë në një mjedis që e inkurajon të hulumtojë dhe të besojë në aftësitë e veta.
Dita Botërore e Fëmijëve shënohet më 20 nëntor, datë që lidhet me miratimin e Deklaratës dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijës. /SHENJA/

