Protestë para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kërkohet përgjegjësi institucionale për femicidet
Nisma joformale qytetare “Asnjë më shumë!” ka nisur një bllokadë para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet kompetente në lidhje me femicidet, transmeton Anadolu.
“Jemi të zemëruara me të gjithë ata që ushqejnë kulturën e dhunës në këtë shoqëri, me çdo mosveprim të policisë, çdo denoncim që përfundon në sirtar dhe çdo rast të relativizimit të dhunës si shkelje e vogël”, thanë organizatorët.
“Asnjë më shumë!”, theksoi se protesta vjen në një vit kur shtatë gra janë vrarë brutalisht, ndërsa denoncimet e regjistruara për dhunë në familje janë rritur për 70 për qind, duke arritur në shifrën rekord prej 1.897 rastesh.
Nisma paralajmëroi se do të vazhdojë protestat dhe bllokadat derisa të plotësohen kushtet për një jetë të sigurt, përfshirë procedimin urgjent të rasteve, procese gjyqësore transparente dhe të drejta, si dhe dënime të përshtatshme për autorët e dhunës dhe vrasësit.
Protestueset kërkojnë gjithashtu përcaktimin e përgjegjësisë individuale dhe institucionale për të gjitha rastet e femicideve, përfshirë vrasjen e fundit të një 17-vjeçareje në Bogdanci si dhe kontrolle të pavarura për mënyrën se si kanë vepruar institucionet kompetente.
Ndër kërkesat e tjera janë miratimi deri më 10 dhjetor i ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje si dhe miratimi i ndryshimeve në tetë ligje, përfshirë Ligjin për Policinë dhe Ligjin për Familjen.
Nisma kërkon gjithashtu ndarjen e së paku 200 milionë denarëve në buxhetin e vitit 2027 për shërbime të specializuara për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave të dhunës si dhe tërheqjen e ndryshimeve që, sipas saj, kanë dobësuar mbrojtjen nga diskriminimi, barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

