Paga mesatare neto në muajin shtator ka qenë 49.141 denarë
Paga mesatare mujore neto e paguar për një të punësuar në muajin shtator të këtij viti ka arritur në 49.141 denarë (798 euro), duke shënuar rritje prej 8,1 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave.
Sipas ESHS-së, rritja e pagës mesatare neto vjen kryesisht si rezultat i pagave më të larta të paguara në sektorin e furnizimit me ujë, largimit të ujërave të ndotura, menaxhimit me mbeturinat dhe aktiviteteve për sanimin e mjedisit, ku është regjistruar rritje prej 11,6 për qind.
Rritje të pagave është regjistruar edhe në sektorin e aktiviteteve administrative dhe shërbimeve mbështetëse, me 10,6 për qind, si dhe në tregtinë me shumicë dhe pakicë, riparimin e automjeteve dhe motoçikletave, me 10 për qind.
Krahasuar me muajin paraprak, gushtin, rritje e pagës mesatare mujore neto është regjistruar në sektorin e minierave dhe nxjerrjes së gurëve me 6 për qind, në industrinë përpunuese me 3 për qind dhe në administratën publike dhe mbrojtjen, si dhe sigurimin e detyrueshëm social, me 2,5 për qind.
Ndërkaq, paga mesatare bruto për një të punësuar në shtator ka arritur në 73.940 denarë (1201 euro).

