Francë, hetohet rrjedhja e informacioneve sekrete te partia e Le Pen
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez sot thirri në takim një prefekt, për shkak të dyshimeve për rrjedhjen e informacioneve konfidenciale nga ministria drejt partisë së ekstremit të djathtë, “Tubimi Kombëtar” (RN), duke i cilësuar akuzat si “shumë serioze” nëse vërtetohen, transmeton Anadolu.
Duke folur për transmetuesin BFMTV, Nunez konfirmoi se ka thirrur në takim të premten në mëngjes prefektin Hugues Moutouh, i cili aktualisht shërben në departamentin Loiret. “Nëse faktet vërtetohen, kjo është padyshim shumë serioze”, tha Nunez, duke shtuar se është duke u zhvilluar një hetim gjyqësor.
Moutouh, ish-zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme, dyshohet se ka qenë i përfshirë në rrjedhjen drejt partisë RN të informacioneve konfidenciale lidhur me hetimet që synonin këtë parti.
Selia e RN-së u kontrollua më 9 nëntor, në kuadër të një hetimi për dyshime mbi shkeljen e sekretit profesional, cenimin e konfidencialitetit të një hetimi dhe fshehjen e këtyre shkeljeve.
Deputeti i RN-së, Laurent Jacobelli tha se liderja e partisë, Marine Le Pen do të vazhdojë fushatën e saj politike pavarësisht hetimit, duke shtuar se partia nuk do t’i pezullojë aktivitetet sa herë që shfaqet një zhvillim i ri.

