Në UT u mbajt konferenca “Nga kërkimi shkencor në zbatim praktik”
Në Universitetin e Tetovës u mbajt ceremonia solemne e Kongresit të Dytë Ndërkombëtar, i cili këtë vit zhvillohet me temën “Nga kërkimi shkencor në zbatim praktik”. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve, profesorë dhe studiues, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe arritjeve më të fundit shkencore. Në fokus të Kongresit është ndërlidhja ndërmjet kërkimit shkencor dhe zbatimit të rezultateve të tij në praktikë, si dhe roli i shkencës në zhvillimin dhe avancimin e fushave të ndryshme akademike e shoqërore. Kongresin e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Ahmeti, i cili theksoi se zhvillimi i shkencës dhe kultivimi i kulturës kërkimore janë pjesë e pandashme e misionit institucional të Universitetit të Tetovës. Sipas tij, universiteti nuk është thjesht një institucion ku transmetohen njohuritë dhe fitohen kualifikime akademike, por një hapësirë ku kultivohet mendimi kritik, sfidohen bindjet e konsoliduara, zhvillohen ide të reja dhe kërkimi shkencor shndërrohet në një instrument për të kuptuar e përmirësuar realitetin që na rrethon.


