Dimoglidu për rrjetin iranian: Barrën kryesore të hetimit e kanë shërbimet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut

Dimoglidu për rrjetin iranian: Barrën kryesore të hetimit e kanë shërbimet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut

Ky rast edhe një herë dëshmon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi i mirë me autoritetet e huaja dhe ekzistenca e një rrjeti efikas të intelegjencës. Edhe pse nuk ishte e përfshirë ndonjë njësi e policisë greke, Shërbimi Kombëtar i Intelegjencë, përmes bashkëpunimit me vende të tjera, arriti të parandalojë një aktivitet të paligjshëm në territorin tonë, deklaroi zëdhënësja e policisë greke, Konstantina Dimoglidu, duke folur për televizionin shtetëror ERT lidhur me shkatërrimin e rrjetit iranian dhe theksoi se “barrën kryesore të hetimit e kishin shërbimet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut”, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

MARKETING

Shik.mk

Dimoglidu shpjegoi se në të gjithë rastin, nga pala greke ishte përfshirë vetëm Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës dhe theksoi se ekzistojnë njoftime zyrtare “nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në të cilat përshkruhet veprimtaria e kësaj organizate kriminale dhe thuhet se objektivi i mundshëm ndodhej në Greqi, pa u përmendur persona konkretë”.

Lidhur me atë se kush ishte objektivi i një atentati apo akti terrorist, zëdhënësja e policisë greke shpjegoi se këtë e di shërbimi grek i inteligjencës, por edhe se pas arrestimeve dhe zhvillimit të hetimeve do të sqarohet se për çfarë bëhet fjalë.

“Ne në policinë greke nuk e dimë konkretisht se kush ishte objektivi. Sigurisht, këtë e di Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës dhe ai tashmë ka ndërmarrë masat e nevojshme. Mendoj se tani, gjatë hetimit, pasi në vendet e tjera janë gjetur prova dhe janë kryer arrestime, do të sqarohet nëse bëhet fjalë për një vrasje të planifikuar, përkatësisht për një vrasje që duhej të kryhej në vendin tonë ndaj një personi konkret, apo për diçka tjetër, siç është një sulm terrorist. Konsideroj se kjo do të përcaktohet gjatë hetimit, tani që të arrestuarit janë në duart e organeve kompetente”, shpjegoi Dimoglidu.

Zëdhënësja e policisë greke foli edhe për personin që ishte arrestuar në territorin e Greqisë dhe më pas ishte ekstraduar në vendin tonë, duke shpjeguar se ai ishte zbuluar në një vendkalim kufitar në kufirin verilindor me Turqinë, në përpjekje për t’u larguar nga vendi, ndërsa policët kishin konstatuar se ndaj tij ishte shqiptuar masa e ndalimit të qëndrimit si në Greqi, ashtu edhe në vende të tjera.

Zbulimi i rrjetit iranian që po përgatiste një sulm terrorist në Greqi, që nga dje, siç raportoi MIA, është lajmi kryesor në vendin fqinj jugor, ndërsa gazetarët po publikojnë analiza dhe informacione duke iu referuar burimeve të tyre.

Sa i përket personit që ishte objektiv i sulmit/atentatit në Greqi, në media mbizotërojnë disa skenarë, sipas njërit, bëhet fjalë për një biznesmen grek me prejardhje hebraike, sipas një tjetri, për një izraelit që punon në një kompani të madhe në Greqi, ndërsa sipas skenarit të tretë, bëhet fjalë për një person të lidhur me interesat izraelite.

Megjithatë, për asnjërin nga këta skenarë nuk ka konfirmim zyrtar.

Mediat në Greqi shkruajnë se vrasja ishte planifikuar në atë mënyrë që të krijohej përshtypja se bëhej fjalë për larje hesapesh, me qëllim që të fshihej lidhja e mundshme e sulmit me rrjetet iraniane.

Nga ana tjetër, për personin e arrestuar në Greqi, mediat raportuan se bëhet fjalë për një shtetas 30-vjeçar të Maqedonisë, i cili ishte shpallur person i padëshiruar në vend për arsye të sigurisë kombëtare.

Gazeta “Katimerini”, duke iu referuar burimeve të saj, shkruan se me një automjet me targa të Maqedonisë në fund të tetorit ai ishte përpjekur të largohej nga Greqia dhe të hynte në Turqi, përmes pikës kufitare tokësore në Evros.

Pasoi arrestimi i tij, ndërsa disa ditë më vonë edhe deportimi në vendin tonë.

MARKETING