LSDM: Mickoski dhe Koçovska planifikojnë ta rrisin borxhin publik edhe për dy miliardë euro në vitin 2027

LSDM: Mickoski dhe Koçovska planifikojnë ta rrisin borxhin publik edhe për dy miliardë euro në vitin 2027

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) akuzon kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministren e Financave, Gordana Dimitrieska Koçovska, se përmes Projektbuxhetit për vitin 2027 planifikojnë ta rrisin borxhin publik të vendit edhe për dy miliardë euro.

MARKETING

Shik.mk

Nga LSDM thonë se pushteti po përpiqet ta arsyetojë këtë huamarrje me pretendimin se një pjesë e mjeteve do të përdoren për shlyerjen e borxheve ekzistuese, por sipas tyre, këto arsyetime nuk qëndrojnë.

“Për të justifikuar borxhin e madh, Koçovska dhe Mickoski gënjejnë, ashtu siç bëjnë për gjithçka tjetër. Në Projektbuxhetin për vitin 2027, të propozuar nga Koçovska, janë parashikuar 64.6 miliardë denarë, ose rreth një miliard euro, për shlyerjen e borxhit”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Sipas opozitës, pretendimet për borxhe të trashëguara janë demaskuar, ndërsa Mickoski, që nga ardhja në pushtet, e ka rritur borxhin publik për katër miliardë euro.

LSDM pretendon se kjo shumë përbën rritje prej 50 për qind krahasuar me borxhin e akumuluar të shtetit nga pavarësia deri në periudhën e mëparshme.

Nga kjo parti paralajmërojnë se me Projektbuxhetin për vitin 2027, qytetarët do të ngarkohen edhe me dy miliardë euro borxh të ri.

Opozita kritikon gjithashtu politikat ekonomike të Qeverisë, duke theksuar se qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës, ndërsa pagat nuk po e ndjekin këtë trend. Sipas LSDM-së, paralajmërimet për shtrenjtimin e ngrohjes dhe energjisë elektrike gjatë vitit 2027 do të përbëjnë një goditje tjetër për standardin jetësor.

“Borxhe të reja për qytetarët, norma të larta interesi që duhet t’i paguajnë, ndërsa nuk ka para për pagën minimale prej 600 eurosh, për rritjen e subvencionimit të vaktit studentor apo për bujqit”, deklarojnë nga LSDM.

Nga LSDM vlerësojnë se politikat e tilla ekonomike po e rëndojnë më tej gjendjen financiare të qytetarëve, ndërsa Qeveria po dështon të përmbushë premtimet për përmirësimin e standardit të jetesës.

MARKETING