Mexhiti takohet me Halil Kastratin në Kosovë, diskutojnë bashkëpunimin për shkollën e fëmijëve me nevoja të veçanta në Çair
Bashkëkryetari i VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, gjatë një vizite në Kosovë është takuar me Halil Kastratin, përfaqësues i shoqatës humanitare „Jetimat e Ballkanit“, me të cilin ka diskutuar mundësitë e bashkëpunimit për realizimin e projekteve me karakter humanitar dhe social.
Përmes një njoftimi, Mexhiti ka bërë të ditur se vizita kishte për qëllim njohjen nga afër me punën e shoqatës dhe krijimin e mundësive për bashkëpunim në mbështetje të kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.
„Në Kosovë ishim për ta takuar Halil Kastratin, sepse pa përkrahjen për ata që kanë më shumë nevojë, angazhimi ynë për qytetarët mbetet i paplotë“, ka deklaruar Mexhiti.
Gjatë vizitës në shtëpinë e të moshuarve, Mexhiti dhe delegacioni që e shoqëronte janë njohur nga afër me aktivitetet dhe punën e shoqatës „Jetimat e Ballkanit“.
Një nga temat kryesore të takimit ishte edhe mundësia e bashkëpunimit për ndërtimin e shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta „Idnina – E ardhmja“, e cila planifikohet të ndërtohet në Komunën e Çairit.
Sipas Mexhitit, projekti parasheh ndërtimin e një objekti me sipërfaqe rreth 2.000 metra katrorë, me kapacitet për 200 fëmijë dhe investim të parashikuar prej rreth 2 milionë eurosh.
Shkolla pritet të ofrojë kushte të përshtatshme për mësim, terapi dhe zhvillim, duke u përshtatur me nevojat individuale të fëmijëve.
„Familjet që e presin këtë shkollë kanë nevojë për mbështetje konkrete, ndërsa fëmijët për kushte ku mund të mësojnë, të zhvillohen dhe t’i shprehin aftësitë e tyre. Për këtë duam të punojmë bashkë“, ka theksuar Mexhiti.
Në takim është diskutuar mundësia e ndërthurjes së përvojës së shoqatës „Jetimat e Ballkanit“ me angazhimin e Komunës së Çairit, me synimin për të avancuar realizimin e këtij projekti.

