Arrestohet një 18-vjeçar nga Radiovca, dyshohet se alarmoi rrejshëm për bombë në gjimnazin e Tetovës
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se ka arrestuar një 18-vjeçar nga fshati Radiovcë, i cili dyshohet se ka bërë denoncim të rremë për vendosjen e një bombe në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë.
Sipas njoftimit të MPB-së, më 17 nëntor 2026, në periudhën nga ora 05:45 deri në 07:25, policia ka realizuar bastisje në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të të dyshuarit A.D. (18), në fshatin Radiovcë, në afërsi të Tetovës.
Aksioni është realizuar nga Sektori për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, në bashkëpunim me Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Njësinë Policore në Zherovjan, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lajmërim i rremë për bombë”, sipas nenit 366 të Kodit Penal.
Gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një telefon celular, ndërsa 18-vjeçari është privuar nga liria dhe është dërguar në stacion policor për procedura të mëtejshme.
“Pas dokumentimit të plotë të rastit, do të vijojë kallëzimi përkatës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

