Barcelona iu ofron tifozëve vend në “Camp Nou” pas vdekjes
Barcelona ka prezantuar një projekt të veçantë për stadiumin e ri “Camp Nou”, ku do të ndërtohet një memorial që do t’u mundësojë tifozëve të klubit që hiri i tyre të vendoset brenda stadiumit pas vdekjes.
Sipas raportimeve të gazetës franceze “Le Parisien”, projekti do të përfshijë rreth 26 mijë hapësira funerale, për mbështetësit që dëshirojnë të mbeten të lidhur me klubin edhe pas vdekjes.
Shërbimi do të ofrohet me disa paketa të ndryshme: 2.490 euro për 10 vjet, 4.990 euro për 25 vjet dhe 5.990 euro për 50 vjet.
Përveç kësaj, do të aplikohet edhe një tarifë vjetore prej 70 eurosh për mirëmbajtje.
Memoriali pritet të hapet në fund të vitit 2027, duke u ofruar tifozëve të Barcelonës një mundësi të pazakontë për të mbetur përgjithmonë pranë klubit të tyre të zemrës.

