Dëmtohet Edon Zhegrova, shqetësim edhe për Juventusin
Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, ka pësuar një dëmtim gjatë grumbullimit me Kombëtaren dhe nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e radhës kundër Irlandës.
Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, e cila bëri të ditur se lojtari është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit.
Dëmtimi ka ngritur shqetësime edhe te Juventusi, ku Zhegrova pritet të rikthehet në qendrën stërvitore Continassa për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore nga stafi i klubit.
Sipas mediave italiane, futbollisti ishte titullar në ndeshjen e fundit të Kosovës ndaj Izraelit, por u zëvendësua në minutat e fundit. Deri më tani nuk ka detaje për shkallën e dëmtimit apo kohën e rikuperimit.
Situata e Zhegrovës përbën një tjetër shqetësim për trajnerin e Juventusit, Luciano Spalletti, i cili po përballet me disa mungesa për shkak të dëmtimeve në skuadër.

