Sijllanovska-Davkova: Evropa nuk duhet të lejojë të mbetet e pamjaftueshme e ndërlidhur me Ballkanin Perëndimor
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Sijllanovska-Davkova, ka deklaruar se Evropa nuk duhet të lejojë të mbetet pamjaftueshëm e ndërlidhur me Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë strategjike të integrimit rajonal për konkurrueshmërinë, sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të kontinentit, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi të Presidencës, Sijllanovska-Davkova mori pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin, së bashku me 50 krerë të shteteve dhe qeverive evropiane. Tema qendrore e samitit ishte “Evropa: e fortë, e sigurt dhe e ndërlidhur”.
Presidentja mbajti fjalim në panelin e diskutimit me temë “Ndërtimi i një Evrope konkurruese i -novacioni, ndërlidhja dhe energjia e përballueshme”, ku foli për lidhjen mes konkurrueshmërisë evropiane, inovacionit, sigurisë energjetike dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalimin e saj, ajo theksoi se Evropa e merr forcën nga aftësia për ta shndërruar diversitetin në bashkëpunim dhe bashkëpunimin në veprim të përbashkët, duke vlerësuar se pikërisht kjo aftësi përbën një nga çelësat e konkurrueshmërisë evropiane.
Sipas saj, konkurrueshmëria sot nuk mund të kufizohet vetëm te kapitali, madhësia e tregjeve apo kostoja e fuqisë punëtore, por varet gjithnjë e më shumë nga aftësia për të ndërlidhur njohuritë, teknologjinë, infrastrukturën, energjinë dhe njerëzit, si dhe për t’i shndërruar këto lidhje në inovacion, produktivitet dhe rritje të qëndrueshme.
“Ndërlidhja nuk është vetëm çështje gjeografike, por domosdoshmëri ekonomike, imperativ i sigurisë dhe vendim politik”, theksoi Sijllanovska-Davkova.
Duke folur për Ballkanin Perëndimor, ajo theksoi se rajoni nuk ndodhet jashtë Evropës, por është pjesë e historisë, infrastrukturës dhe arkitekturës së saj të sigurisë.
Ajo i përshkroi Evropën dhe Ballkanin Perëndimor si “një sistem enësh të ndërlidhura”, në të cilin zhvillimet në njërën pjesë ndikojnë në mënyrë të pashmangshme edhe në pjesën tjetër.
Sipas presidentes, çështja nuk është vetëm se si Ballkani Perëndimor të ndërlidhet më mirë me Evropën, por edhe nëse Evropa mund të lejojë të mbetet pamjaftueshëm e ndërlidhur me një rajon që ndodhet në kryqëzimin e drejtimeve të saj strategjike, korridoreve energjetike, tregjeve dhe potencialit njerëzor.
“Çdo vonesë në ndërlidhje është një mundësi e humbur. Çdo investim i shtyrë ka pasoja ekonomike. Dhe çdo objektiv politik ka një kosto që nuk e paguajnë institucionet, por qytetarët”, theksoi ajo.
Në fokus të fjalimit të saj ishte edhe siguria energjetike, për të cilën Sijllanovska-Davkova tha se krizat e fundit kanë dëshmuar se varësia ekonomike, në rrethana të caktuara, mund të shndërrohet në cenueshmëri strategjike.

