Kurti takohet me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit të Paqes në Paris, ka zhvilluar takim me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian (BE), për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, transmeton Anadolu.
Kurti nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, tha se me emisarin Sorensen kanë diskutuar për disa çështje që lidhen me procesin e dialogut.
“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që Kosova gëzon tashmë pas zgjedhjes së Presidentes, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe perspektivën e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër”, shkroi Kurti.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, mbetet një nga proceset kryesore në kuadër të përpjekjeve për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në fillim të këtij muaji, shefja e Politikës së Jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka deklaruar se për mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të pritet fillimisht formimi i Qeverisë së re në Beograd.

