Mickoski nxjerr vendimin e vitit 2023 për Alta Bankën: Edhe Qeveria e Kovaçevskit kishte miratuar shitjen e aksioneve
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë debatit mbikëqyrës në Kuvend për rastin e Alta Bankës, ka publikuar një vendim të Qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski, me të cilin ishte dhënë pëlqimi për shitjen e aksioneve në Stopanska Banka SHA Manastir, sot e njohur si Alta Banka.
Mickoski iu referua vendimit të publikuar në “Gazetën Zyrtare”, numër 123 të vitit 2023, duke theksuar se Qeveria e atëhershme, e përbërë nga LSDM-ja dhe BDI-ja, kishte ndërmarrë hapa për vendosjen e marrëdhënieve të biznesit me bankën dhe pronarin e saj, Davor Macura.
Sipas Mickoskit, në atë kohë Qeveria kishte miratuar një vendim që parashihte angazhimin e Avokatit të Shtetit në procedurën për shitjen e aksioneve në pronësi shtetërore.
“Qeveria juaj, z. Venko Filipçe, dhe e BDI-së, me propozim të ministrit Fatmir Besimi, e detyroi Avokatin e Shtetit të hyjë në marrëdhënie biznesi me personin Davor Macura, pronar i Alta Bank Serbi, dhe të tjetërsojë aksionet në pronësi të Maqedonisë”, deklaroi Mickoski.
Ai ngriti gjithashtu pyetjen nëse në vitin 2023 kishte pasur shqetësime për kapitalin rus apo për origjinën e mjeteve financiare të lidhura me këtë bankë.
“Përse në vitin 2023 nuk kishte kapital rus apo para kriminale?”, pyeti Mickoski, duke kundërshtuar akuzat e opozitës se përgjegjësia për rastin Alta Bank bie mbi Qeverinë aktuale.
Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kërkoi nga kryeministri të sqarojë se çfarë komunikimi kishte pasur me guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, lidhur me lejimin e hyrjes së Alta Bankës në tregun maqedonas.
Filipçe theksoi se Mickoski nuk mund të shmangë përgjegjësinë politike për këtë rast, duke argumentuar se banka dhe pronari i saj kanë qenë temë e diskutimeve publike për një kohë të gjatë.
Ndërkohë, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës, duke rikujtuar vendimin e vitit 2023 dhe duke kërkuar sqarime se çfarë veprimesh kishte ndërmarrë Qeveria e atëhershme mbi bazën e tij.
Debati mbikëqyrës në Kuvend, me temë “Arsyet për vendosjet e Administratës në ALTA Banka SHA Manastir, roli dhe veprimet e Bankës Popullore dhe përgjegjësia institucionale”, u shoqërua me akuza dhe kundërakuza mes pushtetit dhe opozitës.
Në diskutim morën pjesë edhe deputetë të tjerë, përfshirë Borislav Krmov nga E Majta, Adnan Azizi nga VLEN-i dhe Vesna Bendevska.
Rasti i Alta Bankës vazhdon të mbetet në qendër të përplasjes politike, ndërsa palët shkëmbejnë akuza për vendimet e marra nga qeveritë e kaluara dhe përgjegjësinë e institucioneve aktuale.

