Trump propozoi Christy McCormick për ambasadore të SHBA-së në Maqedoni
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka propozuar Christy McCormick nga Kalifornia për postin e ambasadores së jashtëzakonshme dhe fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Ajo duhet të kalojë për miratim në Senat deri në fund të dhjetorit. McCormick është një juriste amerikane me përvojë shumëvjeçare në administratën federale, në mbrojtjen e të drejtave të votimit, organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit. Gjatë karrierës së saj ka mbajtur pozita të rëndësishme në Departamentin amerikan të Drejtësisë, Komisionin Amerikan për Asistencë Zgjedhore dhe Ambasadën e SHBA-së në Irak.
Më 16 dhjetor 2014, McCormick u konfirmua me pëlqim unanim nga Senati amerikan, pas nominimit të saj nga presidenti i atëhershëm Barack Obama, për të shërbyer në Komisionin Amerikan për Asistencë Zgjedhore (Election Assistance Commission – EAC). Gjatë angazhimit në këtë institucion, ajo ka ushtruar dy herë funksionin e kryetares së Komisionit, ndërsa sipas biografisë së saj zyrtare, mban edhe përgjegjësinë e zyrtares federale të caktuar për Komitetin për Zhvillimin e Udhëzimeve Teknike.
Ushtruesja e detyrës së ambasadores së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i këtij viti është Nikol Varns. Ajo e mori këtë detyrë pasi administrata e Donald Trumpit e tërhoqi nga posti ambasadoren e deriatëhershme, Angela Prajs Ageler, pas tre vjetësh të kaluara në Shkup, ku shërbeu si ambasadorja e dhjetë e SHBA-së.

