Alarmohet ushtria gjermane nga rritja e abuzimeve seksuale në radhët e saj

Alarmohet ushtria gjermane nga rritja e abuzimeve seksuale në radhët e saj

Komandanti më i lartë ushtarak i Gjermanisë ka shprehur shqetësim për rritjen e rasteve të sjelljeve të pahijshme seksuale në radhët e forcave të armatosura, raportoi sot revista “Der Spiegel”, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Inspektori i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, Carsten Breuer, e cilësoi situatën si “të papranueshme” në një urdhër zyrtar të lëshuar për forcat e armatosura në shtator. Raportimet për sjellje të pahijshme seksuale, që përfshijnë nga komentet e papërshtatshme deri te përdhunimet brenda kazermave ushtarake, thuhet se janë shtuar muajt e fundit.

Numri i rasteve të raportuara u rrit nga 402 në vitin 2023 në 469 në vitin 2025. Sipas informacioneve të siguruara nga “Der Spiegel”, numri i përgjithshëm për vitin 2026 pritet të jetë dukshëm më i lartë.

Si kundërpërgjigje, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius krijoi një linjë telefonike për mbështetjen e personelit ushtarak që ka përjetuar ose ka qenë dëshmitar i sjelljeve të tilla.

Më 26 tetor, Breuer, në zbatim të udhëzimit të ministrit, urdhëroi që linja telefonike të jetë në dispozicion 24 orë në ditë, duke filluar nga 1 nëntori. Kjo nismë u mundëson viktimave dhe dëshmitarëve të kërkojnë këshillim nga një institucion i pavarur, në vend që rastet t’i raportojnë drejtpërdrejt te eprorët e tyre.

Më tej thuhet se shumë viktima hezitojnë t’i denoncojnë rastet, nga frika e hakmarrjes ose e etiketimit si tradhtarë brenda njësive të tyre ushtarake.

– Studimi konfidencial zbulon përhapjen e gjerë të abuzimeve

Gjetjet paraprake të një studimi të ashtuquajtur “të rasteve të paraportuara” kanë ngritur gjithashtu shqetësim te drejtuesit ushtarakë gjermanë. Sipas “Der Spiegel”, rreth 70 për qind e grave që morën pjesë në mënyrë anonime në anketim deklaruan se kishin përjetuar sjellje të pahijshme me natyrë seksuale gjatë shërbimit ushtarak.

Në shumë prej rasteve të raportuara, pretendohet se ishin të përfshirë edhe eprorë. Sipas revistës, anketa tregoi se edhe pjesëtarët meshkuj të forcave të armatosura kishin përjetuar ose kishin qenë dëshmitarë të sjelljeve të tilla.

Sipas vlerësimeve brenda Bundeswehr-it, rreth 30 për qind e meshkujve të anketuar deklaruan se kishin përjetuar vetë ose kishin qenë dëshmitarë të sjelljeve të pahijshme seksuale. Në anketim morën pjesë mbi 17 për qind e rreth 25 mijë pjesëtareve aktive dhe ish-pjesëtareve të forcave të armatosura, të cilave u ishte dërguar pyetësori.

Studiuesit kontaktuan edhe 25 mijë burra të tjerë. Sipas revistës, studimi mbetet konfidencial për shkak të ndjeshmërisë së gjetjeve të tij. Shumë prej grave të anketuara dhanë dëshmi të hollësishme për sjelljet abuzive brenda kazermave dhe objekteve të tjera të Bundeswehr-it.

MARKETING