Hasani akuzon për mungesë konsultimesh në ligjin për përfaqësim, Sulejmani ia kujton BDI-së Ligjin për gjuhët
Ilir Hasani nga BDI dhe Driton Sulejmani nga VLEN kanë zhvilluar debat në emisionin “Debat në Shenja” lidhur me Ligjin për përfaqësim të drejtë, ku kanë shprehur qëndrime të kundërta për përmbajtjen dhe procedurën e hartimit të tij. Hasani kritikoi ligjin, duke thënë se ai nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe nuk garanton mbrojtjen e përfaqësimit të drejtë, ndërsa Sulejmani kundërshtoi pretendimet se VLEN nuk ka pasur qasje në përmbajtjen e tij.
Hasani u shpreh i shqetësuar edhe për mungesën e konsultimeve me opozitën dhe qytetarët, duke thënë se ligji nuk u është prezantuar paraprakisht. Sipas tij, edhe përfaqësuesit e VLEN-it e kanë parë për herë të parë projektligjin në Kuvend.
“Kjo ka qenë edhe arsyeja që në formë kategorike në Kuvend e kemi kundërshtuar dhe kemi thënë se nuk kalon. Përfaqësimi i drejtë është çështje e shenjtë”, deklaroi Hasani.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, gjatë dy viteve të fundit shqiptarët nuk ndihen të përfaqësuar siç duhet në institucionet e vendit, duke akuzuar për dëmtim të institucioneve dhe mekanizmave të përfaqësimit të drejtë.
Nga ana tjetër, Driton Sulejmani hodhi poshtë pretendimin se VLEN nuk e ka parë ligjin, duke theksuar se ai ka arritur në Kuvend dhe se ende nuk është votuar, prandaj ekziston hapësirë për debat dhe diskutime.
Gjatë debatit, Hasani e pyeti Sulejmanin nëse i njihte autorët e ligjit. Ky i fundit tha se nuk i dinte të gjithë, por përmendi ministrin aktual Jeton Shasivari si një nga personat e përfshirë në hartimin e tij.
Hasani kërkoi të dinte pse opozita nuk ishte konsultuar për hartimin e ligjit, duke thënë se mund të kishin kontribuar së bashku në këtë proces.
Sulejmani iu kundërpërgjigj duke rikujtuar se edhe BDI, gjatë kohës kur ishte në pushtet, nuk e kishte konsultuar VLEN-in për Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Në vazhdim, Hasani përsëriti kundërshtimin e BDI-së, duke pretenduar se gjatë procesit të hartimit të ligjit janë konsultuar Stoilkoviqi dhe Karakamisheva, ndërsa opozita shqiptare është lënë jashtë konsultimeve.
Në anën tjetër, Sulejmani shprehu habinë për qëndrimin e BDI-së kundër projektligjit, duke theksuar se debati për përmbajtjen e tij duhet të zhvillohet në Kuvend.
“Me sa lehtësi e thonë se nuke votojnë ligjin për përfaqësim. Nuk e kuptoj”, tha Sulejmani.

