(VIDEO) Raporti i KE-së për RMV-në: S’ka progres në luftën kundër korrupsionit

(VIDEO) Raporti i KE-së për RMV-në: S’ka progres në luftën kundër korrupsionit

 

MARKETING

Shik.mk

Edhe këtë vit, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për vitin 2026 përmban vërejtje dhe mungesë progresi në fushat kyçe në Maqedoninë e Veriut. Sipas raportit të prezantuar sot, vendi nuk ka shënuar asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, ndërsa korrupsioni mbetet i përhapur dhe shqetësim serioz. Në këtë drejtim, gjithashtu theksohet se, ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal nuk i kanë adresuar në mënyrë të duhur pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023 dhe kanë shtuar pasigurinë juridike. Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të zvarriten dhe shpesh parashkruhen, duke krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë.

Komisioni Evropian

“Ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal, që kanë të bëjnë me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe bashkimit kriminal, nuk i adresojnë në mënyrë të duhur pasojat negative të ndryshimeve të vitit 2023 dhe kanë kontribuar në pasigurinë juridike. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit duhet të intensifikojë identifikimin proaktiv të rasteve të mundshme të keqpërdorimeve. Rastet e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të përballen me vonesa dhe shpesh arrijnë parashkrimin, duke kontribuar në perceptimin e pandëshkueshmërisë”.

Në fushën e zgjedhjeve dhe lirisë së shprehjes gjithashtu nuk është shënuar progres. Nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-së dhe Komisionit të Venedikut për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndërsa dezinformatat dhe ndërhyrjet e huaja në proceset informative mbeten të trajtuara në mënyrë të pamjaftueshme.

Komisioni Evropian

“Maqedonia e Veriut ka një nivel përgatitjeje ndërmjet atij të pjesshëm dhe atij të moderuar në fushën e lirisë së shprehjes dhe nuk ka shënuar përparim në këtë drejtim. Vendi ka ndërmarrë disa hapa për harmonizimin e kornizës ligjore me Aktin Evropian për Lirinë e Medias. Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe transmetuesi publik vazhdojnë të përballen me sfida, kryesisht për shkak të autonomisë së kufizuar financiare dhe administrative, si dhe financimit të parregullt”.

Raporti thekson po ashtu se, në disa fusha të tjera, si drejtësia, lufta kundër krimit të organizuar, administrata publike dhe ekonomia, është evidentuar progres i kufizuar ose i pjesshëm, ndërsa reformat vazhdojnë të përballen me probleme të zbatimit, mungesë kapacitetesh dhe burimesh financiare e njerëzore.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING