(VIDEO) Problemet me Alta Bankën, Filipçe sërrish thirrje guvernatorit të japë dorëheqje

(VIDEO) Problemet me Alta Bankën, Filipçe sërrish thirrje guvernatorit të japë dorëheqje

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i ka bërë thirrje guvernatorit të Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, të japë dorëheqje dhe të ndalojë marrjen e vendimeve me të cilat rrezikon edhe më tej stabilitetin e sistemit financiar dhe besimin e qytetarëve. Filipçe theksoi se pas vendimeve të gabuara lidhur me hyrjen e Alta Bankës në tregun financiar të Maqedonisë së Veriut, Sllaveski nuk ka kredibilitet për të marrë vendime të reja për të ardhmen e saj. Ai rikujtoi se LSDM-ja gjatë gjithë vitit ka paralajmëruar për kapitalin e dyshimtë dhe transaksionet financiare të lidhura me Alta Bankën, për të cilat kishte paralajmëruar edhe Banka Qendrore Evropiane dhe institucione të tjera financiare. Filipçe theksoi se guvernatori nuk e ka përmbushur obligimin e tij për të verifikuar se kush qëndron pas bankës, cili është reputacioni i tij dhe çfarë kapitali hyn në sistemin financiar të Maqedonisë së Veriut.

MARKETING

Shik.mk

VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM

“Me qëllimet më të mira, sot i bëjmë thirrje guvernatorit Trajko Sllaveski të japë dorëheqje. Të mos e zhysë më tej situatën, në të cilën tashmë është zhytur. Të mos përpiqet në mënyrë të papërshtatshme të shpëtojë veten dhe kryeministrin Mickoski, i cili dukshëm është urdhërdhënësi i tij. Ne i përcjellim deklaratat e tij, të cilat janë konfuze, i plotëson me sqarime, i ndryshon. Është e qartë se akuzon pa arsye dhe është e qartë se e di që në një moment do të duhet të përgjigjet”.

Ndërakaq, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se nga 5 nëntori, që i bie dita e enjte, qytetarët që kanë llogari pagese në ALTA Banka SHA Manastir, por nuk posedojnë kartela bankare, do të mund t’i tërheqin paratë në sportelet e filialit kryesor të bankës në Manastir.

BANKA POPULLORE

“Mundësia e tërheqjes së parave u dedikohet kryesisht pensionistëve dhe përfituesve të ndihmës sociale, të cilët pagesat i pranojnë përmes llogarive në këtë bankë, por nuk kanë kartelë bankare. Shuma që mund të tërhiqet është deri në 20.000 denarë për një periudhë dyjavore, në përputhje me kufizimin e përcaktuar nga autoritetet”.

Banka Popullore informoi se nga 6 nëntori, përfshirë edhe të shtunën, më 7 nëntor, filiali do të punojë me dy ndërrime. Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se po përgatiten edhe zgjidhje për hapjen e sporteleve të ngjashme në qytete të tjera të vendit, me qëllim që pensionistët dhe përfituesit e ndihmës sociale të kenë qasje në mjetet e tyre financiare.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING