Mexhiti pas zgjedhjeve në Bërvenicë: Votat nuk i ka askush në pronësi, në demokraci nuk ka “ne” dhe “ata”

Mexhiti pas zgjedhjeve në Bërvenicë: Votat nuk i ka askush në pronësi, në demokraci nuk ka “ne” dhe “ata”

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve në Bërvenicë, duke bërë thirrje për respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe shmangien e deklaratave polarizuese.

MARKETING

Shik.mk

Në një status në rrjetet sociale, Mexhiti ka vlerësuar se zgjedhjet kanë përfunduar dhe se tashmë të gjithë duhet t’u kthehen obligimeve të tyre, ndërsa deklaratat nxitëse gjatë dhe pas fushatës i ka cilësuar si “folklor parazgjedhor” dhe “folklor paszgjedhor”.

“Votat janë shprehje e lirë e vullnetit të qytetarëve dhe askush nuk i ka në pronësi ato”, ka shkruar Mexhiti.

Ai ka theksuar se në politikë, pozicionimi kundër të gjithëve nuk është strategji që çon drejt suksesit, por një qasje që herët a vonë prodhon zhgënjim.

Duke folur për raportet në një shoqëri multietnike, Mexhiti ka kundërshtuar ndarjet politike dhe etnike në “ne” dhe “ata”, duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi janë domosdoshmëri për funksionimin e shoqërisë.

“Në demokracitë multietnike nuk guxon të ekzistojë ndarje në ‘ne’ dhe ‘ata’, sepse kjo implikon pabarazi dhe tendenca për të suprimuar tjetrin”, ka theksuar ai.

Në fund, Mexhiti ka porositur se qytetarët vendosin me votë, ndërsa politika duhet të marrë përgjegjësi për qëndrimet dhe veprimet e veta, pa u marrë me arsyetime dhe interpretime paszgjedhore.

MARKETING