Kim Mehmeti: Edhe babanë, një ditë, vjen dhe e merr nëna e tij!

Kim Mehmeti: Edhe babanë, një ditë, vjen dhe e merr nëna e tij!

Nga Kim Mehmeti

MARKETING

Shik.mk

(Mbi shfaqen teatrore ‘Babai’ në regji të Ivan Popovskit me Bajrush Mjakun në rolin kryesor)

U tha se shfaqja ‘Babai’ do të shënojë rolin e fundit dhe përmbylljen e karrierës 53-vjeçare të aktorit Bajrush Mjaku.

Ndërkohë, nuk u tha më e rëndësishmja: se me këtë rol Bajrushi do ta vulosë të vërtetën se aktrimi nuk do ta kishte dimensionin e përjetësisë dhe të madhështisë që ka pa aktorë si Bajrushi dhe pa shfaqje të veçanta si kjo e „Babait”, së cilës i ‘mungon’ vetëm diçka – se është vetë përsosmëria e shprehjes skenike!

Dhe rrallë ndodh që në një shfaqje teatrore të ndërthuren aq mjeshtërisht aktrimi mjeshtëror i bartësit të rolit kryesor, loja mahnitëse e aktorëve të tjerë që përbëjnë këtë buqetë artistike, regjia shumëdimensionale dhe skenografia që lundron nëpër kohë e hapësirë, si vetë harresa dhe kujtesa.

Shpeshherë thuhen fjalë të mëdha për vogëlsira, por edhe fjalët më të mëdha janë tepër të vogla kur bëhet fjalë për regjisorin Ivan Popovski, i cili ka ndërtuar një shfaqje në të cilën ke ndjesinë se Bajrush Mjaku nuk aktron rolin e përcaktuar nga teksti i Florian Zellerit, por luan vetveten.

Në të vërtetë, në shfaqjen ‘Babai’, regjisori e ka ndërthurur gjithçka në atë mënyrë që çdo gjë të lëvizë si në Sistemin Diellor, ku të gjithë planetët e tjerë aktoreskë rrotullohen rreth diellit – Bajrushit, por pa e humbur shkëlqimin e tyre vetjak, pa të cilin tërësia nuk do ta kishte atë ndriçim që ka dhe as atë magji që magjepsë.

Andaj, nëpërmjet aktrimit të Armenisa Nokshiqit, Fisnik Zeqirit, Sabina Memishit, Flakron Aliut dhe Melika Kastratit, kupton se për një regjisor të mirë, rolet nuk janë rastësi por pjesë të pazëvendësueshme të një tërësie magjike, pa të cilat shfaqja do ta humbiste kuptimin.

Vetë shfaqja ka të bëjë me harresën dhe kujtesën, me frikën se mos na e vjedhin orën – pra, kohën; me pleqërinë, kur harron nëse je këtu apo atje; me ndjesitë kur do ta kishe dhënë gjithë jetën që të ka mbetur për ta kaluar i përmalluar për të shkuarën, vetëm për një çast të vetëm nga ato net kur çdo gjë rreth teje i ishte dorëzuar lazdranisë fëmijërore.

Kjo shfaqje të shtyn edhe ta pyesësh veten: si të kujtojnë ata që i ke harruar, si të mbajnë mend ata që duan të të harrojnë, por nuk ia dalin, sepse u shfaqesh në kujtesë para se t’i zërë gjumi, si një trishtim i largët dhe si dikush që di shumëçka për ta.

Po, shfaqja ‘Babai’ është një përzierje malli, lotësh, frike, kujtimesh dhe urtësie.

Ajo na mëson se nuk duhet t’i frikësohemi vdekjes, por jetës; se ne nuk vdesim ditën kur na varrosin, por kur e harrojmë të shkuarën, kur nuk kemi më mundësi ta shfletojmë albumin e kujtimeve.

Kjo shfaqje, me Bajrushin në epiqendrën e saj, na e rikujton se të jetosh pa kujtesën për të shkuarën është njësoj sikur të mos jesh këtu, por atje ku asgjë nuk është si këtu, atje ku të atjeshmit as këndojnë, as qeshin, as nguten, as mërziten pse u kalon koha, as e dinë nëse janë këtu apo atje, ata që janë gjithkund dhe gjithmonë i shijojnë të gjitha.

Po, kjo shfaqje na përball edhe me një të vërtetë që na kujtohet kur vjen çasti të shpërngulemi Atje: se aq sa mundet fëmija ta kujtojë kohën e kaluar në barkun e nënës, po aq do të mund ta kujtojmë edhe ne, pas vdekjes, kohën e kaluar në këtë botë.

Dhe kjo është arsyeja kryesore pse ne i frikësohemi vdekjes dhe shkuarjes sonë te ata që mbahen mend nga të gjallët, por që nuk i kujtojnë më banorët e kësaj bote.

Andaj shpesh, shumë shpesh, të gjallëve u ndodh ta pyesin vetveten se si do të mund ta përballojnë pleqërinë pa kujtimet, pa mundësinë për ta rikujtuar pusin e thellë të së shkuarës, so do mund të notojnë nëpër lumin e cekët të së ardhmes, i cili është tharë aq shumë, saqë duket se e ka ndalur rrjedhën.

Madje, të gjallëve shpesh u ndodh të ken ecur nëpër jetë duke i shikuar e dëgjuar me kujdes ata që i ka dashur, por e gjithë kjo të mos ketë pasur vlerë kur e ka harruar rrëfimin për ta.

Pra, të mos ketë humbur kuptim e shkuara kur korridoret e jetës mbajnë erën e ilaçeve dhe të vdekjes; kur të tjerët nuk e shfaqin dhembjen për ne me fjalë, por me heshtje; kur pikëllimi i të tjerëve bëhet lënda e parë e jetës sonë; kur mërzia e atyre që u dhimbsemi shtresohet brenda nesh si llumi pas vërshimeve, si një hapësirë nëpër të cilën nuk mund të ecësh pa u zhytur, pa u baltosur nga dhembja.

Dhe, përderisa njeriu e shikon Bajrush duke u përpëlitur nëpër baltën e harresës, nuk mund të mos e ndiejë se çmimi që Mjaku paguan si aktor është vetë aktrimi.

Një çmim ky që të mban gjallë dhe që, tërë kohën, ta rikujton se je i sëmurë nga jeta; se, si aktor i madh, lumturinë tënde e ndien si vazhdimësi të përjetimeve që ua ofron shikuesve të shfaqjes.

Ku ta dish, mbase shfaqja më e mirë për Bajrushin do të ishte ajo ku ai do të rrëfente si nëpër mjegull gjithçka që ka përjetuar duke i ringjallur të tjerët, duke qenë ai vetë të gjithë ata që ka aktruar dhe duke na bërë të kuptojmë se fundi i shfaqjes është, në njëfarë mënyre, si fundi i jetës – t’i merr të gjitha dhe të barazon me shikuesit në sallë, e madje edhe me ata që nuk kanë kuptuar asgjë, si dhe me ata që të urrejnë e ta kanë zili.

Ku ta dish pra, gjatë këtyre dekadave, gjatë të cilave Bajrushi na ka ofruar përjetime të rralla skenike, mbase edhe atë vetë e ka munduar e njëjta pyetje, së cilës as ne nuk i kemi dhënë përgjigje të saktë: sa shumë do të kishim humbur nëse bota teatrore nuk do ta kishte Bajrushin, nëse ai do të vendoste të jetonte larg teatrit, pranë gruas, fëmijëve e nipave, dhe nëse, pa të në skenë, neve shqiptarëve të Maqedonisë, nuk do të kishte arsye dikush të na kujtonte?

Por sa mirë që e kemi!

Sa mirë që, me aktrimin e tij mjeshtëror, na bën të ndihemi sikur jemi ulur pranë zjarrit të kujtimeve për vetveten, për jetën e vdekjen, madje edhe për këngët kushtuar burrërisë, kur na shfaqet hija e babait, i cili kalon pranë nesh i heshtur, pa na treguar se si ia kishte dalë që, edhe mes asaj harrese dhe ngushtice jetësore, të mos i mungonte kurrë krenaria dhe dinjiteti.

Më në fund, aktrimi i Bajrushit – Babai, i ngjan një mullixhiu që nuk mund ta bluaj të shkuarën e vet, ngaqë i është fshirë kujtesa, kështu që nuk ka më miell për ta ngjeshur brumin e kujtimeve.

Sidoqoftë, edhe kësaj shfaqjeje i vjen fundi, ashtu siç vijnë ditët e fundit të jetës, kur njeriu është mes të gjallëve, por bisedon me të vdekurve.

Dhe gjatë atyre ditëve kur të vdekurit e joshin të gjallin t’u bashkohet, brenda tij zgjohet fëmija që ruan dashurinë mbi të gjitha dashuritë – atë të fëmijës ndaj nënës.

Andaj, i paravdekuri i harron të gjitha dashuritë e tjera dhe i drejtohet nënës, e thërret atë që të vijë dhe, njësoj siç e ka sjellë në këtë jetë, ta marrë me vete dhe ta shpjerë atje nga ku nuk do të kthehet kurrë më.

Pra, në ditët e fundit të jetës, njeriu vuan për përqafimin e nënës, përqafimin e vetëm që mund të na qetësojë dhe të na e rikthejë kujtesën për të vetmen gjë që nuk harrohet kurrë – për fëmijërinë.

Kështu, nga babai ynë, të cilin e kemi pasur idhull dhe shëmbëlltyrë guximi e trimërie, mbetet vetëm një fëmijë i trembur, i cili pret që të vijë nëna e tij, ta marrë dhe ta shpjerë atje ku nuk do të kemi më nevojë për kujtesë.

Dhe, kur bëhet fjalë për fëmijën brenda nesh, duhet thënë se gjithçka e jona varet nga sa do të mundemi ta mbrojmë atë fëmijë që di t’i gëzohet jetës.

Sa i përket Bajrush Mjakut – që, në të vërtetë, është emri dhe mbiemri i aktrimit kulmor – ai e ka ruajtur në vetvete dashurinë ndaj aktrimit, ashtu siç është dashuria e fëmijës ndaj nënës.

Me çka del se ai e ka kuptuar se e gjithë qenia e tij nuk është asgjë më shumë se tërësia e roleve që ka aktruar.

Andaj, pasi bie perdja, njeriu ndien nevojën të thotë: Faleminderit, mjeshtër, që na dhurove kaq shumë magji skenike dhe që na tregove sa të varfër do të ishim ne dhe teatri shqiptar pa ty!

Pasi bie perdja dhe merr fund shfaqja ‘Babai’, njeriu nuk mund të mos thotë: Mjeshtër, të jemi mirënjohës që na mundësove ta kuptojmë se aktori i madh nuk aktron për t’i ngjarë rolit që luan, por pët ta bërë tjetrin si vetvetja.

Dhe, pas kaq vitesh njohjeje me të, autori i këtij teksti e pranon se vetëm pas shfaqjes ‘Babai’ e kuptoi pse Bajrushi nuk mërzitet kur e harron tekstin apo pse nuk hutohet kur hyn e del nga skena atëherë kur nuk duhet: ngaqë ai kurrë nuk e harron vetveten, sepse, kur nuk i kujtohet teksti, ai e thotë atë që autori ka harruar ta shkruajë, dhe pse e di se ai vetë është shfaqja!

MARKETING