Kosovë, vazhdon protesta në kërkim të llogaridhënies për rastin e Arlinda Zekajt
Ka vazhduar për ditën e katërt me radhë protesta qytetare kundër zinxhirit institucional që dështoi të mbronte jetën e qytetares Arlinda Zekaj që dyshohet se u vra nga ish-kunati i saj më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, transmeton Anadolu.
Qytetarët, që marshuan nga sheshet e Prishtinës drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe në fund drejt ndërtesës së Qeverisë, kërkuan burgim për prokurorët, gjyqtarët dhe zyrtarët që u morën me rastin e Arlinda Zekajt.
Protestuesit po ashtu kërkuan shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Qytetarja Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor dhe si i dyshuar për vrasje është arrestuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj, më 28 tetor.
Për këtë rast edhe ish-bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, u ndalua nga organet e rendit në ditën e vrasjes së saj, pasi viktima e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Zekaj i kishte shkruar letër kryeprokurores së Pejës tri ditë para se të vritej, duke i treguar se jeta e saj po rrezikohej.
Deri më tani nga autoritetet përkatëse janë suspenduar Kryeprokurorja e Pejës dhe një prokurore e rastit, gjithashtu edhe 11 zyrtarë policorë. Pas tyre dha dorëheqje edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.

